Rektori i Kolegjit AAB zhvillon takime me drejtues të universiteteve në Stamboll për zgjerimin e bashkëpunimit akademik

8 Prill 2026

Në kuadër të vizitës zyrtare në Turqi dhe pjesëmarrjes në aktivitetet ndërkombëtare të arsimit të lartë në Stamboll, Rektori i Kolegji AAB, Dr. Sc. Blerim Olluri, zhvilloi një sërë takimesh me përfaqësues të universiteteve prestigjioze turke për të forcuar dhe zgjeruar bashkëpunimin akademik.

Një nga takimet u zhvillua me Zëvendësrektorin e Istanbul Nişantaşı University, Prof. Dr. Uğur Yozgat, ku u diskutua për mundësitë e thellimit të bashkëpunimit ndërmjet dy institucioneve në fusha me interes të përbashkët. Bisedimet u fokusuan në zhvillimin e projekteve të përbashkëta akademike, organizimin e konferencave shkencore, si dhe zgjerimin e mundësive për shkëmbimin e studentëve dhe stafit akademik.

Në vazhdën e këtyre takimeve, delegacioni i Kolegji AAB zhvilloi një vizitë edhe në Boğaziçi University, një nga universitetet më prestigjioze në Turqi, ku u takuan me Serdar Çöp, Këshilltar i lartë në këtë institucion. Gjatë këtij takimi u diskutua për zhvillimin e bashkëpunimit në fushën e teknologjisë, ekonomisë, shkencave kompjuterike, si dhe për mundësitë e realizimit të hulumtimeve të përbashkëta shkencore dhe publikimeve akademike.

Palët shprehën gatishmërinë për të intensifikuar komunikimin dhe për të zhvilluar aktivitete të përbashkëta akademike në të ardhmen, duke përfshirë konferenca ndërkombëtare, takime shkencore dhe programe shkëmbimi për studentë dhe staf.

Këto takime përfaqësojnë një hap të rëndësishëm në zgjerimin e rrjetit ndërkombëtar të bashkëpunimit të Kolegjit AAB, duke krijuar mundësi të reja për zhvillim akademik, kërkime shkencore dhe mobilitet ndërkombëtar.

Share: