Shënohet Java e Infermierisë nga studentët e Kolegjit AAB

14 Maj 2022

Fakulteti i Infermierisë, në shënim të Javës së Infermierisë, organizoi disa aktivitete të cilat simbolizojnë më së miri këtë profesion. Fillimisht, ky fakultet në bashkëpunim me Qendrën Kombëtare të Kosovës për Transfuzionin e Gjakut zhvilluan aktivitetin për dhurimin vullnetar të gjakut, i cila u mbajt në Kolegjin AAB. Aksioni humanitar i gjakut është tradicional dhe organizohet çdo vit nga Kolegji AAB duke shënuar edhe shifra rekorde të dhurimit të gjakut në Kosovë.

Aktiviteti i radhës ishte kursi ndërkombëtar për EVP i akredituar nga Oda e Infermierëve të Kosovës me temën: “Diversiteti dhe përceptimet kulturore në Infermieri”, ku ligjërues ishte prof. Eroll Reshtani. Ai para pjesëmarrësve tregoi për diversitetet kulturore në Infermieri, në trendet vendore dhe ato ndërkombëtare, si dhe rëndësinë e kuptimit të këtyre diversiteteve kulturore në mëshrimin e profesionit të Infermierisë. Këto informata kanë qenë mjaft të rëndësishme në përfitimin e njohurive mbi diferencat kulturore për të gjithë pjesëmarrësit në këtë kurs.

Vazhdimësia e këtyre aktiviteteve u finalizua me iniciativën e studentëve të Kolegjit AAB, për të ofruar shërbime shëndetësore falas dhe këshilla sensibilizuese nëpër komunat kryesore të Kosovës. Këto shërbime kanë pasur për qëllim vetëdijësimin e popullatës duke promovuar përmes këshillave një stil të shëndetshëm të jetesës dhe vlerave të profesionit të Infermierisë për të përmirësuar cilësinë e komunitetit. Këto shërbime u ofruan në gjithsej shtatë komuna, me tetë lokacione, ku në kryeqytet bashkëpunuam për së afërmi edhe me komunën e Prishtinës, si dhe me përfaquesit e Euromelanoma të Kosovës.

Share: