Studentët e profileve mjekësore të Kolegjit AAB, së shpejti do të mund të studiojnë me bursa në Iowa të ShBA

21 Shtator 2018

Përfaqësues të Kolegjit AAB sot kanë pritur në një takim Presidentin e Kolegjit të Shkencave Mjekësore, Mercy College of Health Sciences nga Iowa e ShBA, Dr. Doughlas Fiore, së bashku me znj. Edlira Dibrani, Zyrtare nga Oda Amerikane në Kosovë.

Qëllimi i kësaj vizite ishte njohja me profilin e Kolegjit AAB, me aktivitetetet akademike, infrastrukturën, si dhe specifikisht me programet e studimit të fushës së mjekësisë në Kolegjin AAB.

Dr. Fiore u njoftua për së afërmi me suksesin e programit të Infermierisë në Kolegjin AAB, me stafin akademik si dhe me laboratoret e avancuara në këtë fushë.

Pas prezantimit të të arriturave të Kolegjit AAB nga Dekani i Fakultetit të Infermierisë, Dr. Idriz Sopjani, Dr. Fiore shprehu gatishmërinë e tij dhe të institucionit që përfaqëson për mbështetje të Kolegjit AAB, studentëve dhe stafit akademik, në zhvillimin e tyre të mëtejmë në fushën e shkencave mjekësore.

Me qëllim të konkretizimit të aktiviteteve të përbashkëta, Dr. Sopjani dhe Dr. Fiore u dakorduan që të dy institucionet të punojnë në drejtim të hartimit të një marrëveshje të bashkëpunimit e cila kryesisht do të parashohë shkëmbimin e stafit akademik dhe profesional mes dy institucioneve, shkëmbimin e studentëve dhe më me rëndësi ofrimin e bursave për mobilitet për studentët e Kolegjit AAB në Mercy College of Health Sciences në Iowa.

Mercy College of Health Sciences në Iowa, SHBA është institucion i arsimit të lartë në SHBA, i profilizuar në ofrimin e programeve të studimit në fushën e shkencave mjekësore.

 

Share: