Studentët e Fakultetit Juridik të Kolegjit AAB përfunduan me sukses pjesëmarrjen në garën ndërkombëtare për ndërmjetësim “INADR Virtual Tournament – Vinlius 2020”, të mbajtur nga data 7 deri 11 korrik 2020 në Lituani.
Përkundër faktit se Kosova u përfaqësua për herë të parë në një garë të tillë ndërkombëtare, studentët tanë: Lirie Hoti, Albaton Bejta, dhe Saranda Dula, arritën të marrin çmimin “Best New Mediation Program”. Ky çmim vërteton faktin se studentët e Kolegjit AAB, janë të gatshëm të përfaqësojnë ndërkombëtarisht Kolegjin AAB dhe Republikën e Kosovës, në një garë midis universiteteve me renome botërore në fushën e juridikut.
Kjo garë është organizuar nga instituti INADR (The International Academy of Dispute Resolution) nga ShBA dhe “Mykolas Romeris University” nga Lituania.
Përgatitjen teorike dhe praktike të studentëve para dhe gjatë kësaj gare e kanë bërë profesorët Dr. Egzonis Hajdari dhe Prof. Ass. Dr. Skender Gojani, nën përcjellje të vazhdueshme të Dekanit të Fakultetit Juridik Prof. Ass,Dr. Veton Vula.
Me rastin e suksesit të arritur në këtë garë ndërkombëtare, ekipi fitues sot u pritën edhe nga rektori i Kolegjit AAB, Bujar Demjaha, i cili fituesve u ndau edhe nga një mirënjohje në emër të Kolegjit AAB.
Suksesi i studentëve tanë është promovimi më i mirë i cilësisë dhe ngritjes profesionale që arrihet përmes Kolegjit AAB.