Studentët e AAB-së vizituan Qendrën Burimore për Mësim dhe Këshillim “Lef Nosi” në Prizren

23 Dhjetor 2019

Studentët anëtarë të Klubit të Debatit, të Fakultetit të Shkencave Sociale, programi Përkudesja dhe Mirëqenia e Fëmijve të Kolegjit AAB, së bashku me prof.ass.dr.Violeta Buza vizituan Qendrën Burimore për Mësim dhe Këshillim “Lef Nosi” në Prizren.

Vizita u udhëhoq nga arsimtarja e matematikës, e cila është koordinatore për cilësi në këtë qendër edukative, znj.Myzafere Gashi,  e cila i informoi studentët për punën që realizohet në këtë qendër me fëmijët me dëmtime intelektuale dhe me dëmtime të shumëfishta.

Qendra ofron mësim për personat me aftësi të kufizuara, posaçërisht për fëmijët me dëmtime të rënda. Në këtë qendër janë të përfshirë 63 fëmijë, 28 prej të cilëve u ofrohet dhe shërbimi konviktor. Niveli i shkollimit fillon nga klasa e parë deri në përfundim të shkollës së mesme të lartë ku rëndësi e veçantë i kushtohet bujqësisë.

Mësimi zhvillohet njëjtë si në gjithë shkollat e Kosovës duke u bazuar në dokumentin e Kurrikulës, por duke u përshtatur në nevojat individuale të secilit nxënës dhe punohet me plan individual për secilin fëmijë i cili rishikohet dy herë në vit.

Gjatë vizitës, studentët patë rastin të shohin nga afër edhe disa nga klasat ku nxënësit vijonin mësimet, e ku vijuesit kanë arritur të aftësohen me shkathtësi për jetë dhe njohuri të përgjithshme në fusha e lëndë të ndryshme.

Po ashtu studentët vizituan edhe konviktin, kuzhinën, dhomën sensorike dhe kopshtin e mbjellur me fidane nga vetë nxënësit në bashkëpunim me mësimdhënësit.

Vizita në Qendrën Burimore për Mësim dhe Këshillim “Lef Nosi” në Prizren, u vlerësua shumë e dobishme për studentët, ngaqë ata morën informacione të shumta për punën e realizuar me shumë përkushtim nga ana e personelit me qëllim që fëmijët të arrijnë shumë sukses në të gjitha fushat brenda qendrës dhe inkuadrimin e nxënësve në shkollat e rregullta.

Share: