Në një ceremoni solemne në ambientet e Kolegjit AAB, në Prishtinë, u hap ekspozita e studentëve të Fakultetit të Arteve dhe Arkitekturës të AAB-së, në bashkëpunim me Caritas Kosova. Në këtë ekspozitë, e të cilën e shpallën të hapur dekani, Shyqeri Nimani dhe drejtori i Caritas Kosovës, Dom Viktor Sopi, janë ekspozuar mbi 30 punime në disiplinat e pikturës dhe të posterit.
Dekani Shyqyri Nimani deklaroi se vlerat e kësaj ekspozite janë të jashtëzakonshme. “Në këtë rast tema ka qenë shumë aktuale, që ka të bëjë me trafikimin e qenies njerëzore, dhe studentët këtë temë e kanë marrë me kohë dhe i kanë shfaqë idetë e tyre në disiplina të caktuara. Unë mendoj se këto punime tashmë janë vepra të përsosura”, ka vlerësuar Nimani. Ndërsa drejtori i Caritasit, Dom Viktor Sopi, falënderoi Kolegjin AAB për një bashkëpunim të tillë, dhe tha se trafikimi i qenieve njerëzore është një problem global, prandaj edhe ne si një vend i vogël duhet të punojmë në këtë drejtim që ta mbrojmë dinjitetin tonë njerëzor.
Po ashtu, gjatë kësaj ekspozite u dhanë edhe tre shpërblime për tre punimet më të mira, me motiv të luftës kundër trafikimit me qeniet njerëzore. Vendi i parë i takoi Altin Krasniqit, vendi i dytë Gëzim Halitit, dhe i treti Taulant Mehmeti.
I gjithë aktiviteti u mbështet nga Caritas Kosova, në kuadër të fushatës kundër trafikimit të qenies njerëzore.