Studentët e Fakultetit të Gjuhës Angleze shënuan “Ditën Botërore të Leximit me Zë”

3 Shkurt 2021

Çdo vit në datën 3 shkurt, dashamirësit e librit mblidhen së bashku dhe lexojnë me zë veprat e tyre të preferuara dhe mandej i diskutojnë dhe i analizojnë këto vepra së bashku.

Kështu vepruan edhe studentët e Fakultetit të Gjuhës Angleze, por në një mënyrë më të veçantë. Aktiviteti u zhvillua në një vagon treni, ndërsa udhëtonin nga Prishtina për në Pejë nën moton “Një libër i lexuar, një pikëpamje e tjetrit e çmuar”.

Gjatë udhëtimit studentët lexuan me zë pjesëzat e tyre të preferuara nga librat qe i kishin marrë me vete, prej autorëve të huaj dhe shqiptarë.

Përpos këtij aktiviteti, studentët organizuan edhe aktivitete të tjera ndërsa udhëtonin me tren, ndër të tjera edhe aktivitetin “book and author bingo”, ku gjenin emrin dhe titullin e librit në bazë të përshkrimeve të kolegëve. Studentët u udhëhoqën nga asistente Gresa Shaqiri, së bashku me profesorët e fakultetit. Gjatë qëndrimit në Pejë, studentët patën mundësinë të vizitonin edhe atraksione kulturore në këtë qytet.

Share: