Studentët e Gjuhës Gjermane pjesë e ligjëratës virtuale nga profesoresha e Universitetit Teknik të Berlinit

20 Maj 2026

Studentët e Departamentit të Gjermanishtes zhvilluan një ligjëratë virtuale me Prof. Ellen Tichy, të titulluar: “Si mund të mësohet më së miri një gjuhë e huaj? – Teoritë dhe praktika e përvetësimit të gjuhëve të huaja”. Prof. Tichy është ligjëruese e lëndës “Gjermanishtja si gjuhë e huaj dhe gjuhë për qëllime të veçanta” në Universitetin Teknik të Berlinit (TU Berlin).

Gjatë këtij sesioni, studentët u përqendruan në çështjet kryesore të përvetësimit të gjuhëve të huaja. Prof. Tichy prezantoi qasje bashkëkohore të mësimdhënies dhe theksoi rëndësinë e reflektimit personal në procesin e të nxënit. Pjesëmarrësit diskutuan faktorët që ndikojnë në suksesin e të mësuarit të gjuhëve, si dhe strategjitë më efektive për zhvillimin e kompetencave gjuhësore.

Ligjërata trajtoi gjithashtu rolin e motivimit në procesin e përvetësimit gjuhësor, duke i inkurajuar studentët të krijojnë strategji individuale të të nxënit.

Në kuadër të diskutimeve, studentët krahasuan metodat tradicionale të mësimit me mediat moderne digjitale dhe format e të nxënit të mbështetura nga inteligjenca artificiale. Një fokus i veçantë iu kushtua rolit të mediave autentike – si serialet, filmat dhe rrjetet sociale – në mbështetjen e mësimit të gjuhës gjermane.

Përmes zhvillimit të vazhdueshëm të kurrikulës dhe zbatimit të praktikave bashkëkohore në arsim, fakulteti vazhdon të forcojë reputacionin akademik dhe bashkëpunimin ndërkombëtar, duke dëshmuar përkushtimin ndaj cilësisë në edukim dhe ndërkombëtarizimit të arsimit të lartë.

Share: