Studentët e Kolegji AAB, vazhdojnë studimet me bursë të plotë në Universitetin e Lodzit në Poloni

5 Shkurt 2022

Për vite me radhë Kolegji AAB është përfitues i projektit “Erasmus+ International Credit Mobility”, në kuadër të të cilit studentët mund të vazhdojnë studimet me bursë të plotë për një semestër në Universitetin e mirënjohur të Lodzit në Poloni. Zv. rektorja për bashkëpunim dhe marrëdhënie ndërkombëtare Venera Llunji, bëri të ditur se për këtë vit akademik përfitues të bursave janë pesë studentë që u panë të entuziazmuar lidhur me eksperiencën e cila po i pret, si dhe falënderuan Kolegjin AAB për mundësinë e dhënë.

“Ndihem mire, pasi po shkoj të vazhdojë një semestër të studimeve në Poloni dhe një mundësi e tillë nuk duhet lëshuar asnjëherë. Është meritë e Kolegjit AAB pasi gjithmonë dëshmon për studentët që është lider dhe na bën të ndihemi krenar që po studiojmë këtu”, tha Ron Ukaj.

Ndërsa, Adea Ademi u shpreh se këtë mundësi po e sheh si eksperiencë që nuk do ta harroj asnjëherë.

“Nga kjo mundësi po përfitojmë ne, nesër mund të jenë ata që do ndjekin studimet në Kolegjin AAB. Jam e lumtur që jam përzgjedhur dhe do ndikojnë shumë mirë tek secili prej nesh njohuritë, sfidat dhe socializimi me të tjerët”, u shpreh ajo.

Përveç Ronit dhe Adeas, studentët tjerë që do të ndjekin studimet në Poloni janë: Art Vula, Argjend Berisha dhe Laureta Dervodeli.Universiteti i Lodz me seli në Poloni, është universitet publik, dhe ndër universitet më të mëdha në vend, me bashkëpunim intensiv ndërkombëtar me më se 400 partnerë në përmasa botërore, dhe është anëtar aktiv në projekte të Komisionit Evropian dhe më gjerë.

Share: