Studentët e Kolegjit AAB, Arbër Leka dhe Elona Blakaj, pjesë seminarin për raportimin e sistemit bankar në Kosovë

7 Tetor 2017

Shoqata e Bankave të Kosovës (SHBK), në bashkëpunim me Fondin Evropian për Evropën Juglindore –Departamenti për Zhvillim (EFSE-DF), organizuan seminar dyditorë me gazetarët e fushës së ekonomisë në Prevallë, për raportimin nga sistemi bankar në Kosovë.

Qëllimi i kësaj punëtorie ishte krijimi i një ambienti për diskutim të raportimit në sektorin financiar dhe në përgjithësi në çështje që kanë të bëjnë me ekonominë e Kosovës.

Pjesë e kësaj punëtorie me përfaqësues nga sektori financiar, përfshirë bankat komerciale, Bankën Qendrore, Ministrinë e Financave dhe Thesarit të shtetit ishin edhe dy studentë nga Fakulteti i Komunikimit Masiv dhe Gazetarisë i Kolegjit AAB, Arbër Leka dhe Elona Blakaj.

“Seminari ka qenë një eksperiencë e cila na ka ndihmuar në mënyrën e perceptimit të punës së një gazetari të profilizuar apo konkretisht një gazetari ekonomik. Po ashtu u shpjegua edhe për vështirësitë, dhe ngecjet me të cilat përballen këta gazetarë si dhe mënyrën se si të evitohen gabimet dhe të avancohet profesionalizmi në raportimin e tyre”, tha studenti Arbër Leka.

Gazetarë të medieve të shkruara si dhe televizive morën pjesë duke nxjerrë rekomandime dhe konkluzione të rëndësishme për avancimin e pozitës së gazetarit të ekonomisë dhe rritjes së saktësisë së raportimit në këtë fushë.

Në fund të seminarit, të gjithë pjesëmarrësit u certifikuan për pjesëmarrje.

Share: