Studentët e Kolegjit AAB në Gjakovë shënuan Javën Globale të Ndërmarrësisë

14 Nëntor 2018

Në kuadër të aktiviteteve për shënimin e Javës Globale të Ndërmarrësisë, Kolegji AAB dega në Gjakovë organizoi një ligjëratë motivuese në temën “Sfidat e të bërit biznes dhe gjetja e alternativave për të arritur përparësi konkurruese në treg”, ku studentëve u foli, Butrint Batalli, CEO në “INOVA” Industrinë e Gypave të Plastikës.

Me një përvojë 18 vjeçare në ndërmarësi dhe si Konsulent Menaxherial i certifikuar ndërkombëtarisht dhe Partner Menaxhues në INOVA Consulting, kompani Kosovare e konsulencës me theks të veçantë në ISO standarde, z.Batalli ka ofruar shërbime këshilluese për ndërmarrje të shumta të sektorit privat, në veçanti në krijimin e sistemeve të menaxhimit sipas standardeve ndërkombëtare ISO. Ai gjithashtu ka punuar me institucionet publike, asociacione dhe organizatat ndërkombëtare.

Sipas Butrint Batallit, “ndërmarrësia është padyshim një propozim që shpërblen. Por nisja e një biznesi vjen me pjesën e saj të drejtë të sfidave dhe përpjekjeve te vazhdueshme.” Në lidhje me alternativat për të arritur përparësitë konkurruese në treg, z.Batalli potencoi rëndësinë e fokusimit në: “Modelin e biznesit si një qasje që përcakton mënyrën sipas të cilës ndërmarrja sjell vlera për klientët, tërheq klientët për të paguar për vlerën, dhe konverton ato pagesa në fitime”.

 Një tjetër aspekt është fokusimi tek krijimi i markës dhe krijimi i kapitalit të markës për të mundësuar lojalitetin e konsumatorëve dhe një biznes të qëndrueshëm, tha Batalli. Ai potencoi rëndësinë e Marketingut Digjital dhe Mediave sociale për të qenë në kontakt të përditshëm me klientelën. Për themeluesit e bizneseve fillestare, Butrinti tregoi rëndësinë e të qenit jo vetëm një menaxher i mirë por dhe një lider vizionar. Ai potencoi se “nuk është e rëndësishme vetëm për të pasur një vizion, por për të komunikuar atë në mënyrë efektive tek të tjerët, në mënyrë që ata të marrin vizionin dhe ta bëjnë atë të vetin duke ndihmuar në të njëjtën kohë në arritjen e objektivave të vet ndërmarrësit”. “Udhëheqësit e mëdhenj orientohen në të ardhmen dhe kërkojnë të aktivizojnë të tjerët me pasion, entuziazëm dhe emocion.” 

Ligjërata e z. Batallit u përmbyll me një bashkëbisedim me studentët. Në njërën nga pyetjet e studentëve në lidhje me ngopjen e tregut, Batalli argumentoi të kundërtën duke nënvizuar mundësitë që do të ofrohen në vitet në vijim. Ai tha se ndryshimet që do të vijnë në 10 vjeçarin e ardhshëm do të jenë më të mëdha se ato që janë bërë gjatë një gjysmë shekullit, andaj hapësira për të vepruar është mjaft e madhe, por kërkon guxim, kreativitet, vendosmëri dhe përkushtim të vazhdueshëm.

Share: