Studentët e Psikologjisë realizuan vizitë studimore në SOS Fshatrat e Fëmijëve të Kosovës

14 Nëntor 2019

Një grup studentësh dhe mësimdhënësish nga Fakulteti i Psikologjisë i Kolegjit AAB, realizoi një vizitë informuese edhe studimore në SOS Fshatrat e Fëmijëve në Kosovë.

Gjatë kësaj vizite, studentët patën rastin t’ i shohin nga afër banuesit e SOS Fshatrave, që kryesisht janë foshnje, fëmijë dhe të mitur të braktisur. Studentët u njohën me ambientet e atyshme të banimit dhe të punës si dhe u informuan nga stafi menaxherial i SOS Fshatrave për historikun e këtij institucioni, për politikat rehabilituese dhe përkujdesëse të SOS Fshatrave, por edhe për vështirësitë kryesore që e karakterizojnë punën e këtij institucioni.

Studentët gjithashtu patën rastin që nga stafi profesional trajtues të informohen dhe të bashkëbisedojnë rreth praktikave intervenuese psikologjike dhe sociale që zhvillohen me fëmijët e atyshëm.

Organizata SOS Fshatrat e Fëmijëve është pioniere e qasjes së përkujdesit familjar afatgjatë për fëmijët pa përkujdesje prindërore dhe të braktisur.

SOS Fshatrat e Fëmijëve veprimtarinë e tyre e bazojnë mbi katër parime: çdo fëmijë duhet të ketë prindër të dashur; lidhjet familjare për rritje të natyrshme; çdo familje krijon shtëpinë e saj/tij e cila i jep siguri fëmijës brenda mjedisit familjar si dhe  për të ndihmuar fëmijën të rritet brenda komunitetit.

Share: