Studentja Lirie Hoti ka fituar bursën e plotë për Programin e Liderëve të Inovacionit që do të mbahet në Universitetin e Lund në Suedi

29 Prill 2021

Pjesëmarrëse në disa gara ndërkombëtare, si ajo për ndërmjetësim e mbajtur në Lituani, apo gara tjetër e studentëve e mbajtur në Universitetin e Harvardit, studentja e Kolegjit AAB, Lirie Hoti, ka arritur edhe një sukses tjetër.

Ajo ka arritur të fitojë bursën e plotë për Programin e Liderëve të Inovacionit, të cilën e ndan Instituti Suedez (Swedish Institute) e që do të mbahet në Universitetin e Lund në Suedi.

“Pas kalimit me sukses të të gjitha fazave të vlerësimit, sot ndjehem krenare dhe shumë e lumtur ta ndaj lajmin me ju se jam përfituese e bursës së plotë nga Sëedish Institute (Instituti Suedez) dhe të jem në mesin e 30 studentëve të përzgjedhur nga shtetet e Ballkanit Perëndimor për të marrë pjesë në modulin i cili do të mbahet në Universitetin Lund të Suedisë”, ka thënë Liria.


Qëllimi i Liderëve të Inovacionit të SI (SIIL) është të kontribuojë në ekosistemin e inovacionit në rajonin e Ballkanit Perëndimor. Qëllimi është të krijohet një platformë për shkëmbimin e njohurive dhe zgjidhjen e problemeve midis ekspertëve të fushës së inovacionit brenda sektorit privat, sektorit publik dhe akademisë, me ndihmën e ekspertizës dhe përvojës suedeze.

Lirie Hoti është studente absolvente në Fakultetin Juridik me rezultate maksimale në studime, ndërsa me rezultat të tillë ka përfunduar edhe studimet në Fakultetin e Gjuhës Angleze në Kolegjin AAB.

Share: