Studimi i marrëdhënieve të gjuhëve dhe promovimi i studimit të gjuhës angleze në fokus të Konferencës Shkencore ICLLD 2018 në Kolegjin AAB

Në Kolegjin AAB sot ka filluar punimet Konferenca Shkencore Ndërkombëtare mbi Linguistikën, Letërsinë dhe Didaktikën – ICLLD 2018, e cila mblodhi rreth 100 pjesëmarrës nga vendi dhe rajoni.

Në hapje të konferencës dekani i Fakultetit të Shkencave Sociale, prof. dr. Hysen Kasumi, tha se qëllimi i organizimit të kësaj konference nga Kolegji AAB ka ardhur si pasojë e mungesës së trajtimit të problematikave të linguistikës, letërsisë e didaktikës.

“Linguistika, letërsia dhe didaktika, kanë traditë të gjatë në të qenit fusha kyçe nga studiues në mbarë botën. Për një kohë të gjatë, këto fusha janë analizuar dhe shqyrtuar në shumë hulumtime dhe konferenca të cilat janë realizuar nga studiues dhe fakultete të ndryshme. Në një ambient akademik, këto fusha janë në përputhje të plotë me njëra-tjetrën. Si të tilla, në këtë konferencë do të donim të promovonim studimin e gjuhës angleze në përvetësimin e saj në një kontekst jovendor, marrëdhënien e gjuhëve, veçanërisht atë të gjuhës shqipe dhe angleze me proceset e tjera edukative dhe pragmatike”, tha Kasumi.

Ndërsa prorektori për Shkencë i Kolegjit AAB, prof. dr. Hasan Saliu tha se Kolegji AAB është bërë një qendër e rëndësishme akademike dhe shkencore jo vetëm në Kosovës por edhe në rajon e më gjerë. “Kolegji AAB është investimi me i madh në rajon i arsimit të lartë nga sektori jopublik i cili zhvillon aktivitetin arsimor dhe shkencor që nga viti 2002, krahas infrastrukturës moderne që ka, numrit të studentëve, numrit të madh të stafit të rregullt që ka, një tjetër anë e fortë e institucionit tonë është kërkimi shkencor, duke i përfshirë këtu edhe konferencat si kjo sot” tha Saliu.

Në emër të Universitetit “Shën Klementi i Ohrit” nga Maqedonia, foli prof.dr. Valentina Gulevska, e cila falënderoi Kolegjin AAB për organizimin e kësaj ngjarjeje me rëndësi.

“Dëshiroj të falenderoj Kolegjin AAB për mikëpritjen, dhe shpresoj që bashkëpunimi ynë të vazhdojë edhe në të ardhmen“, u shpreh ajo.

Konferenca ndërkombëtare mbi linguistikën, leterësië dhe didaktikën – ICLLD 2018, do të vazhdojë punimet në sesione të ndara, ku do të prezantohen rreth 100 pjesëmarrës me hulumtimet dhe të gjeturat e tyre.

Konfernca ICLLD 2018, është organizuar në partneritet me: Universitetin e Tiranës, Universitetin „Fan S. Noli“, Universitetin “Shën Klementi i Ohrit”, Kolegjin Universitar Bedër, e partnerë të tjerë akademikë.

 

INSTITUTI AAB
APLIKO