Dardan Selimaj

Komunikim Masiv

Student i AAB-së mban tri vende pune

“Tani kur shoh zhvillimin, mundësitë e shtuara dhe rrugën që ka marrë AAB-ja duke u shndërruar në konkurrente serioze e Universitetit Publik të Prishtinës ndihem jashtëzakonisht mirë që dikur isha pjesë e tij”, tha Dardan Selimaj, për revisten “AAB Alumni” i cili studimet Bachelore i ka përfunduar në Fakultetin e Komunikimit Masiv në Kolegjin AAB, dhe tani mban këto vende pune: si producent ekzekutiv në “Kohavision”, Menaxher i Filharmonisë së Kosovës dhe drejtor i Festivalit Ndërkombëtar – DAM.

“Profesorët eminentë janë të mirëseardhur, por jo gjithmonë garantojnë suksesin. Personalisht në AAB kam përfituar edhe nga profesorët “jo eminentë” ose profesorë që nuk gëzojnë famën e yjeve, mirëpo në rrugën time kanë pasur ndikim të madh dhe gjithmonë do zënë një vend të veçantë në mua si profesorët Ibrahim Berisha, Agim Vinca, Masar Stavileci, Enver Petrovci, Merita Juniku, Mimoza Doko, Adi Krasta, Kujtim Shala, Ilir Tafa etj etj të cilëve u jam mirënjohës përjetësisht”, thotë Dardani për revistën “AAB Alumni”.

Dardani në fund të studimeve nisi punë si gazetarë i kulturës dhe autor emisionesh në “Kohavision”. Pastaj u bë edhe drejtues i emisionit “Express”. Ka ushtruar edhe detyrën e producentit të emisioneve televizive: Flladi, Te Linda, Dokukronika, Express Taxi etj. Është sprovuar edhe si skenarist i koncerteve gala të organizuar nga KTV-ja. Ndërsa, që nga viti 2012 udhëheq gjithë programin e Kohavisionit.

“Është sfidë të cilën po e jetojë çdo moment. Sfidat i pëlqejë e ato besoj se deri më tash kam arritur t’i menaxhojë mirë duke iu falënderuar ekipit fantastik të Kohavisionit si dhe drejtoreshës menaxhuese të grupit KOHA Flaka Surroi, e cila më besoi se mund ta ushtrojë detyrën e producentit të gjithë programit në Kohavision dhe për këtë i jam mirënjohës”, thotë Dardani.

Ai për këtë revistë shton se studimet janë bazë për një të ardhme të suksesshme ose të dështuar. “E rëndësishme është që në AAB mora hapat e parë, të cilët i bëra në rrugë të drejtë. Pastaj rrugës çdo kush duhet të gjej drejtimin e tij, rrugës ne shpërfaqemi përpara situatave që nuk mund t’i paramendojmë”, thotë Dardani

Share: