Takim i rëndësishëm ndërmjet Kolegjit AAB dhe Istanbul Topkapi University për thellimin e bashkëpunimit akademik

7 Prill 2026

Rektori i Kolegji AAB, Dr. Sc. Blerim Olluri, së bashku me bashkëpunëtorët e tij, Prorektoren Venera Llunji dhe profesorin Engin Melekoglu, zhvilluan një takim të rëndësishëm me drejtuesit e Istanbul Topkapi University gjatë vizitës së tyre zyrtare në Turqi.

Delegacioni i Kolegjit AAB u mirëprit nga Rektori i universitetit, Prof. Dr. Emre Alkin, dhe Zëvendësrektorja Prof. Dr. Berrin Ceylan Ataman. Gjatë takimit u diskutua për bashkëpunimin e ngushtë ndërmjet dy institucioneve dhe për mundësitë e zgjerimit të mëtejshëm të këtij partneriteti akademik.

Bisedimet u përqendruan në zhvillimin e projekteve të përbashkëta në fusha me interes të ndërsjellë, veçanërisht në teknologji, ekonomi, shkenca kompjuterike, si dhe në sport. Palët shprehën gatishmërinë për të thelluar bashkëpunimin përmes organizimit të konferencave të përbashkëta shkencoretakimeve akademike, si dhe shkëmbimeve të studentëve dhe stafit akademik.

Një aspekt i veçantë i takimit ishte edhe vlerësimi për kontributin e Rektorit Emre Alkin, i cili njihet jo vetëm si një figurë e rëndësishme në fushën e ekonomisë, por edhe si një mbështetës i zëshëm i sportit. Ai ka qenë ndër lobuesit më të fuqishëm për pranimin e Kosovës në FIFA, duke u bërë kështu një mik i madh i Kosovës.

Përfaqësuesit e të dy institucioneve u pajtuan që bashkëpunimi ndërmjet Kolegjit AAB dhe Istanbul Topkapi University të forcohet edhe më tej përmes hulumtimeve shkencore, publikimeve të përbashkëta dhe projekteve akademike, duke krijuar mundësi të reja zhvillimi  për studentët dhe stafin e të dy institucioneve.

Share: