Nën organizimin e Fakultetit të Infermierisë dhe Programit për Karrierë dhe Punësim, në Qendrën Mediale të Kolegjit AAB u mbajt një takim virtual me të diplomuar të këtij programi në AAB, tashmë profesionistë shëndetësorë, të punësuar në klinika prestigjioze gjermane.
Ish studentët Bleona Zabërgja, Qëndresa Seferi dhe Kushtrim Haliti, të cilat kanë filluar punën në Gjermani përmes Programit për Karrierë dhe Punësim, ndanë përvojat e tyre rreth punësimit në Gjermani, me studentët aktualë në Fakultetin e Infermierisë.
Studentët e Infermierisë dhe ata të cilët janë pjesë e Programit për punësim në Gjermani patën mundësinë që të informohen dhe të shtrojnë pyetje studentëve të diplomuar, të cilat tashmë kanë filluar punën në klinikën SANA Remscheid dhe Köln, pjesë e rrjetit të Klinikave SANA, një ndër partnerët kryesorë gjermanë të Programit për Karrierë dhe Punësim
Ndër të tjera, Bleona, Qëndresa dhe Kushtrimi i informuan studentët për procedurat të cilat i kanë ndjekur për të plotësuar kushtet për fillimin e punës në Gjermani dhe për mikpritjen që iu është bërë nga stafi i Klinikës.
Takime të tilla virtuale me ish-studentët tjerë të Programit që po ashtu kanë filluar dhe pritet të fillojnë punën në Gjermani, do të mbahen në vazhdimësi, në mënyrë që studentët e programit por edhe studentët e Infermierisë të Kolegjit AAB, të cilët synojnë të mësojnë gjuhën gjermane dhe të fitojnë një kontratë pune në klinika prestigjioze gjermane përmes Programit për Karrierë dhe Punësim, të informohen vazhdimisht me përvojat e ish-studentëve tanë nga vendet e tyre të Punës në Gjermani.