“Teori dhe strategji të mësimdhënies – Qasja konstruktiviste”, një libër që do t’ i shërbejë lexuesit në një kohë kritike për mësimdhënien

Në Kolegjin AAB u promovua libri më i ri universitar, botim i Shtëpisë Botuese AAB, “Teori dhe strategji të mësimdhënies – Qasja konstruktiviste”, i autorit Xhavit Rexhaj.

Në fjalën e tij, rektori i Kolegjit AAB, Lulzim Tafa,  tha se qëllimi kryesor i këtij libri është të ndihmojë mësimdhënësit në kryerjen më cilësore te punës së tyre nëpërmjet njohjes me teoritë kryesore të të nxënit në përgjithësi dhe me teorinë konstruktive në veçanti.

“Libri është i rëndësishëm për shumë arsye. Trajton problematikën e mësimdhënësit në krahasim me ata që kanë qenë më parë. Libri ofron informacione për qasjen konstruktive. E treta, libri ofron mundësi për përdorimin e të gjitha niveleve deri në nivelin universitar. Të gjithë lexuesit e librave janë të rëndësishëm por ata të këtij libri janë mësimdhënës dhe kjo është e rëndësishme”, tha rektori Tafa duke uruar autorin. 

Njëri nga recensentët e këtij libri, Blerim Saqipi, tha se janë tre çështje që e karakterizojnë këtë libër: “Mendoj se tri janë çështjet që e karakterizojnë një libër të mirë.  Së pari qasja e autorit puna e serioziteti, e dyta cilësia e temës dhe çfarë trajtohet, e treta kontekstualizmi dhe publikimi. Profesori  Rexhaj,  është munduar të ketë një qasje më ndryshe përtej minimales ka trajtuar çështjen duke angazhuar në hulumtime në Kosovë dhe ShBA.  Libri shkon më tej duke u lidhur me komplikimet që ka konstruktivizmi. Kjo ka rëndësi të veçantë sepse autori bën ndërlidhjen e praktikave të mira në botë si në ShBA. Ky libër i shërben lexuesit në një kohë kritike për profesionalizmin e mësimdhënësve “, theksoi Saqipi.

Ndërsa, Selim Mehmeti, recensent dha disa të dhëna përkitazi me këtë libër. Tha se është i ndarë në 5 pjesë. “Pjesa e librit nuk është e ndarë në kapituj dhe numra por është e ndarë në pesë pjesë. Libri fillon me një hyrje të veçantë dhe përfundon me një mesazh që nuk ka nxënës të keq. Jep informacion kush e përdor duke filluar nga mësimdhënësit e deri në nivelin universitar. Ky libër tregon se çfarë u mungon shkollave në Kosovë. Porosia e fundit e librit është këshilluese pedagogjike. Bibliografia është  një tjetër gjë që e karakterizon këtë libër”, tha ai.

Për librin dhe autorin e tij foli edhe profesoresha nga Shqipëria Nikoleta Mita, e cila e ka mentoruar Rexhajn gjatë procesit të doktoraturës. “Kam mentoruar shumë doktorata, por e Xhavitit ishte një nga më mirat, ishte një punim shkencor dinjitoz dhe sot kemi produktin e asaj pune në trajtën e një libër që do jetë i dobishëm si për bibliotekën pedagogjike, po ashtu edhe për trajnimin e mësuesve sepse nëpërmjet tij do zhvillojnë njohuritë dhe aftësitë e tyre.

Ndërsa autori,  Xhavit Rexhaj, u shpreh falënderues për të gjithë ata që ndihmuan në këtë libër, ndërsa theksoi se ka mësuar gjatë këtij procesi dhe se për hartimin e tij janë vizituar 100 shkolla e drejtores shkollash.

INSTITUTI AAB
APLIKO