Fakulteti Ekonomik në Kolegjin AAB ka organizuar tryezën e diskutimit me temën “E ardhmja ekonomike e Kosovës: Politikat, tregtia dhe sfidat e bizneseve në një treg global”, e cila mblodhi drejtuesit ekzekutivë të institucioneve kyçe të vendit, përfshirë Drejtorin e Doganës së Kosovës, z. Agron Llugaliu, Ambasadorin e Suedisë në Kosovë, z. Jonas Westerlund, koordinatoren regjionale të EBRD, znj. Leonora Kusari, Drejtorin Ekzekutiv të Odës Ekonomike Amerikane, z. Arian Zeka, dheDrejtorin Ekzekutiv të Odës Gjermane Kosovare, z. Besnik Vasolli.
Tryeza u moderua nga Prof. Ass. Dr. Ilir Rexhepi, ndërsa u pasurua nga kontributet e profesorëve dhe studentëve të Fakultetit Ekonomik që morën pjesë në diskutim, duke sjellë pyetje dhe reflektime profesionale të cilat i dhanë vlerë të shtuar dimensionit akademik dhe profesional të tryezës.
Panelistët sollën shembuj konkretë, statistika, përvoja praktike dhe rekomandime të rëndësishme për reformat që synojnë përmirësimin e mjedisit të biznesit, forcimin e integritetit institucional dhe rritjen e kapaciteteve konkurruese të ekonomisë së Kosovës.
Në emër të Kolegjit AAB, zv/rektori Prof. Ilir Bytyqi falënderoi panelistët për pjesëmarrjen dhe kontributin e tyre të çmuar, si dhe shprehu mirënjohje të veçantë për Fakultetin Ekonomik dhe moderatorin e tryezës, Prof. Ass. Dr. Ilir Rexhepi, për organizimin e një eventi me rëndësi të madhe për zhvillimet ekonomike dhe akademike në vend.
Tryeza u mbyll me një sesion ndërveprues të pyetjeve nga studentët, që solli një shkëmbim të hapur idesh ndërmjet gjeneratës së re akademike dhe vendimmarrësve që ndikojnë drejtpërdrejt në orientimin e ekonomisë së Kosovës, si dhe me një fjalë falënderimi të rastit nga Dekani i Fakultetit Ekonomik, Prof. Ass. Dr. Xhavit Islami, për kontributin e gjithësecilit pjesëmarrës në tryezë.


