U mbajt ceremonia e dhënies së certifikatave për studentët vullnetarë në programin “Anglishtja nga Unë te TI” në Fshatin SOS

9 Korrik 2021

Tash e dy vjet, studentët e vitit të tretë të Fakultetit të Gjuhës Angleze kontribuojnë vullnetarisht në mësimdhënien e gjuhës angleze për fëmijët, të cilët janë pjesë e skemave të Fshatit SOS. Këtë vit 25 studentë dhanë mësim për më shumë se 100 fëmijë.

Me përfundimin e modulit të dytë, studentëve iu ndanë certifikata në shenjë mirënjohjeje dhe falënderimi për kontributin e tyre. Të pranishëm në këtë aktivitet ishte Rektori i Kolegjit AAB, Bujar Demjaha, përfaqësues nga Fashti SOS, Arjeta Rexhaj, Udhëheqëse e Qendrës Mbështetëse për Fëmijë dhe Familje, dhe Hana Shala, punonjëse sociale dhe koordinatorja e programit të gjuhës angleze.

Në fjalën e tij të rastit, Rektori i përgëzoi studentët për të gjithë përkushtimin e tyre dhe për shembullin e mirë që po transmetojnë në komunitet. Rektori shprehu gatishmërinë e Kolegjit AAB për të vazhduar përkrahjen e fëmijëve të Fshatit SOS edhe me aktivitete të tjera.

Jasmine Ejupi, njëra ndër vullnetaret e programit “Anglishtja nga unë te ti” ndau eksperiencën e saj para të pranishmëve dhe u shpreh se eksperienca dhe ndjesia që përjetoi me fëmijët gjatë kurseve do të jetë e paharrueshme. Në fund studentët vazhduan bisedën për projekte të tjera të ngjashme.

Share: