Në një ceremoni të organizuar në Teatrin AAB “Faruk Begolli”, ku u prezantuan gjetjet e hulumtimit dy mujor mbi rëndësinë e shëndetit oral, studentët e Fakultetit të Stomatologjisë, përmbyllën aktivitetet e shënimit të Ditës së Stomatologut. Studentët këtë hulumtim dy mujor e kanë zhvilluar pothuajse në të gjitha vendbanimet e Kosovës, përmes anketimeve dhe pyetësorëve të realizuar kryesisht me adoleshentë dhe persona mbi moshën 65 vjeçare.
Qëllimi i këtij hulumtimi sipas studentëve ka qenë të bëjë vlerësimin e gjendjes së protezave stomatologjike, të mësohet kujdesi mbi higjienën orale, pastrimi i saktë i dhëmbëve dhe protezave dhe vetëdijësimi i qytetarëve për vizitat tek stomatologu.
Sipas anektimit të bërë me 140 të moshuar ka rezultuar se 58.8% prej tyre i largojnë protezat gjatë natës ndërsa 41.5% jo. Periudha kohore e largimit të këtyre protezave bëhet çdo ditë, ndërsa nga një numër i paktë një herë në javë si dhe disa prej tyre që nuk i largojnë asnjëherë në javë. Si përfundim, studentët kanë arritur në të dhëna se higjiena orale dhe e protezave tek të moshuarit nuk është mjaft e lakmueshme, pasi shumica e të anketuarve nuk ishin të vetëdishëm për pastrimin e saktë të protezës dhe mirëmbajtjes së saj.
Studentët tanë kanë mbledhur të dhëna edhe nga mosha e gjimnazistëve për pastrimin e dhëmbëve. Statistikat tregojnë se 17.1% prej tyre pastrojnë dhëmbët një herë në ditë, 46.7% dy herë në ditë, 32.7% më shumë se dy herë në ditë dhe 3.1% nuk i pastrojnë asnjëherë në ditë.
Me rastin e përmbylljes së këtij aktiviteti, dekani i Fakultetit të Stomatologjisë, Dr. sc.Astrit Kuçi, përgëzoi të gjithë studentët të cilët kanë qenë pjesë e këtij aktiviteti dhe këtij hulumtimi. ”Përveç dijes që doni të përfitoni, ju po hyni ngadalë dhe me hapa të sigurt edhe në botën akademike, sidomos në sferën e vështirë hulumtuese”, tha z. Kuçi.
Ndërsa, prorektori Shemsedin Vehapi, tha se këtë organizim e bën të veçantë iniciativa e vetë studentëve të Fakultetit të Stomatologjisë dhe se Kolegji AAB do ofrojë gjithmonë bashkëpunim dhe mbështetje të pakursyer e sidomos në këto punë vullnetare që kanë për qëllim sensibilizimin dhe aftësimin e tyre në profesionin që kanë zgjedhur.
Ky hulumtim dhe aktivitetet tjera nuk do përmbylleshin suksesshëm pa ndihmën dhe mbështetjen e profesorëve që kontribuan në të, si: Mimoza Selmanaj, Teuta Bicaj, Avdyl Shoshi, Bleron Azizi e Flora Morina.