U promovua libri “ E Drejta Penale”, i autores Vjosa Jonuzi-Shala, botim i Shtëpisë Botuese AAB

Në mesin e dhjetëra librave të promovuar gjatë Panairit Vjeshtor të Librit AAB 2019, u promovua edhe libri “E Drejta Penale” i autores Vjosa Jonuzi-Shala, botim i Shtëpisë Botuese AAB.

Në fjalën e tij në këtë promovim, dekani i Fakultetit të Administratës Publike, Prof. Dr.Petrit Bushi e cilësoi këtë libër si të kompletuar për të qenë libër universitar:

“Ky është libër i cili ka kaluar filtrat për të qenë universitar, një libër që të jep më shumë informacion shkencor. E veçanta është që vetë libri është i organizuar dhe i përshtatur sipas Kodit Penal të vitit 2019 të Republikës së Kosovës, dhe shpesh them se gjithçka që ne duhet të bëjmë është ta transferojmë në mënyrën më të kapshme për brezat e tjerë”.

Autorja e librit Prof. Dr.Vjosa Jonuzi-Shala, duke e orientuar fjalimin e saj në boshtin e trajtesës së librit foli për rolin e Kodit Penal në nivel shtetëror.

“Kodet Penale janë ato ligje që nuk ndryshohen çdo pesë vjet. Prej vitit 2004 ne kemi pasur tre kode penale. Kodi Penal si i tillë duhet ta dëshmojë stabilitetin shtetëror, ai është  sinonim i stabilitetit që për fat të keq mungon, pasi ne mesatarisht çdo pesë vjet nxjerrim kode të reja që nuk ndryshojnë substancialisht, derisa në vendet perëndimore kodet penale janë të njëjtat që prej viteve të mëhershme”.

Interesimi i pjesëmarrësve ku morën pjesë studentë e profesionistë të kësaj fushe, ishte i theksuar gjatë këtij promovimi, ndërsa të pranishmit shfrytëzuan mundësinë për të bërë pyetje rreth librit të sapodalë.

INSTITUTI AAB
APLIKO