U promovuan dy libra për figurën e Ali Pashë Tepelenës, botime të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë

10 Tetor 2019

Në kuadër të Panairit Vjeshtor të Librit AAB 2019, sot, në ditën e dytë u promovuan dy libra të rinj botime të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë: “Ali Pasha dhe Shqipëria në arkivat Britanike” dhe “Korrespodencë dhe dorëshkrime të Ali Pashë Tepelenës” vëllimi I, të autorit Irakli Koçollari.

Si historian i njohur, me një përvojë 20 vjeçare në mësimdhënien në universitet, autori Koçollari, foli për historinë e kombit shqiptar, duke theksuar se jemi me fat që i përkasim një populli që gjithmonë i ka dhënë historisë kontribut të veçantë.

Ai përmendi faktin se paraardhësit tanë, ilirët, përmenden edhe nga babai i historisë botërore, Herodoti, dhe ndryshe nga popujt e tjerë arritën ta ruajnë identitetin e tyre, duke ruajtur gjuhën e traditën nga pushtimi romak fillimisht, dhe jo siç kishte ndodhur me hiberët paraardhësit e spanjollëve apo galët, të parët e francezëve.

Autori i librave të promovuar sot në kuadër të programit të promovimeve në Panairin Vjeshtor të Librit AAB 2019, Irakli Koçollari, foli edhe për mbijetesën e popullit tonë ndaj pushtimit osman dhe vuri theksin pikërisht te figura e Ali Pashë Tepelenës, kontributi i të cilit pasqyrohet në këta dy libra.

Ai tha se Ali Pashë Tepelena, është një figurë e veçantë që zë vend në historinë e popullit shqiptar dhe në kërkimet që ka hasur në historiografinë zyrtare shqiptare, Ali Pashë Tepelena, trajtohej si njëri ndër pashallarët i cili tentoi të shkëputej për të krijuar shtetin dhe për t’u pavarësuar.

Ndërsa, sa i përket, njohjes dhe fuqisë që kishte pashallëku i Janinës, Ali Pashë Tepelena  arriti që në kohën e tij  të ndërtojë raporte politike dhe diplomatike, për shkak të faktit se u bë faktor i rëndësishëm me fuqitë më të mëdha në Evropë. Autori Koçollari,  shpjegoi se si asokohe arritën të akreditojnë dhe të ngrisin ambasada fuqitë e mëdha si Rusia, Anglia dhe Franca në territorin e Janinës dhe Beratit.

Gjithashtu, ai, shtoi se historiografia duhet të shihet me kujdes pasi që ka burime dhe gjëra shumë me interes dhe të cilat janë  mjaft të rëndësishme për kombin shqiptar.

Në fund të këtij autori Irakli Koçollari, zhvilloi edhe një bashkëbisedim me audiencën studentore, të cilët shprehën interesimin e tyre për figurën e Ali Pashë Tepelenës.

Panairi Vjeshtor i Librit AAB 2019, vazhdon deri më 12 tetor 2019, në ambientet e Kolegjit AAB.

 

Share: