Në ambientet e Teatrit AAB “Faruk Begolli” në Kolegjin AAB, me një akademi solemne sot u shënua 70 vjetori i Arkivave të Kosovës.
Në fjalën e tij, kryeshefi ekzekutiv i Agjencisë Shtetërore të Arkivave, Bedri Zyberaj, foli për historikun por edhe gjendjen aktuale të Arkivit të Kosovës. Ai tha se në këtë rrugëtim 70 vjeçar, pavarësisht sfidave dhe vështirësive në të cilat ka hasur ky institucion, ka shënuar edhe të arritura që nuk mund të mohohen, duke mbledhur dokumente dhe dorëshkrime origjinale që shkojnë në një thellësi kohore prej afro 600 vjetësh.
Në fjalën e tij përshëndetëse, Drejtori i Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave të Shqipërisë, Ardit Bido, tha se arkivat tona i konsiderojmë pasuri të përbashkët kombëtare. Ai foli për bashkëpunimin e frytshëm të arkivave të dy shteteve, dhe tha se shembullin e bashkëpunimit të Arkivave të Kosovës e Shqipërisë do të ishte mirë ta ndiqnin edhe institucionet tjera të vendeve tona.
Akademinë solemne të 70 vjetorit të Arkivave të Kosovës, në emër të Kolegjit AAB e përshëndeti edhe dekani i Fakultetit të Administratës Publike, Petrit Bushi, i cili tha se falë marrëveshjes që Kolegji AAB ka me Arkivat e Kosovës, studentët tanë po arrijnë që krahas leksioneve po arrijnë që edhe pjesën praktike ta kryejnë në këtë institucion që i shërben memories historike të kombit dhe jo vetëm.
Në fund të manifestimit të sotëm u shfaq edhe filmi dokumentar “70 vjet arkiv”.