Me rastin e 13 vjetorit të Pavarësisë së Kosovës, Rektori i Kolegjit AAB uron të gjithë studentët, stafin dhe qytetarët e Republikës së Kosovës!
“Rrugëtimi i popullit të Kosovës drejt pavarësisë së saj ishte kompleks, shumë i gjatë dhe i vështirë.
Kjo ëndërr shumë shekullore mbase e kishte një cak pak më ndryshe, por sot shtetasit kosovarë dhe bashkëkombësit kudo që janë duhet të jenë krenarë dhe nuk duhet të kemi asnjë dyshim për vlerën e madhe të të arriturës së të qenit i pavarur.
Sot, kur ngremë lart flamurin e Republikës së Kosovës, këtë duhet ta bëjmë me mburrje dhe ta bëjmë për secilin që dha kontributin në të kaluarën, që sot të gjithë ne ta gëzojmë lirinë e plotë pavarësisht nga kombësia apo feja në shtetin tonë demokratik. Në ditëlindjen e 13-të e ftoj secilin individ që të jemi të dinjitetshëm dhe të devotshëm në kryerjen e obligimeve të veta çfarëdo qofshin ato, ashtu sikur vepruam në zgjedhjet e 14 shkurtit.
Apeloj edhe te institucionet tona të vazhdojmë me intensitet të shtuar për zhvillimin, forcimin dhe përshpejtimin e integrimeve euro-atlantike të shtetit të Kosovës.
Ftoj institucionet dhe shoqërinë tonë që arsimin ta konsiderojmë prioritet shtetëror. Kolegji AAB po arrin rezultate të dalluara jo vetëm në Kosovë por edhe më gjërë.
Jemi të sigurt se institucioni ynë mund të kontribuojë edhe më shumë në zhvillimin social, ekonomik dhe kulturor të Republikës së Kosovës nëse neve na besohet më shumë, dhe na jepet më shumë hapësirë për ta dëshmuar këtë.
Urime të gjithëve 17 Shkurti – Dita e Pavarësisë së Republikës së Kosovës!”
Gëzuar!
Dr.sc. Bujar Demjaha
Rektor i Kolegjit AAB