Zyrtarë të KPM-së diskutuan me studentët e Gazetarisë në AAB për Kodin Etik

Zyrtarë të lartë të Komisionit të pavarur për media u shprehën të gatshëm të bashkëpunojnë me studentët e gazetarisë me qëllim të promovimit të standardeve etike të gazetarisë, rritjes së cilësisë së raportimit në media dhe mbrojtjes së interesit të publikut. 


Me ftesë të profesoreshës së lëndës Gazetaria Online, Ilire Zajmi Rugova, nënkryetarja e Komisionit të Pavarur për Media (KPM), znj. Violeta Hyseni Kelmendi, ushtruesi i Detyrës së Kryeshefit Ekzekutiv, z. Luan Latifi dhe Udhëheqësi i Divizioinit për Monitorim dhe Analiza, z. Mirand Tafarshiku kanë prezantuar para studentëve të vitit të tretë të Fakultetit të Komunikimit masiv të Universitetit AAB, rregullativën ligjore të KPM-së, që rregullon Shërbimet Mediale Audio-Vizuele në Kosovë, me theks të veçantë Kodin Etik.


Nënkryetarja e KPM-së, Violeta Hyseni Kelmendi u tha studentëve se është shumë e rëndësishme që si gazetarë të ardhshëm që njohin aktet ligjore dhe nënligjore që rregullojnë mediat, të kuptojnë rregullat e etikës, të respektojnë të drejtat individuale përfshirë të drejtën për privatësi, mos-transmetimin e materialeve që promovojnë apo nxisin aktivitete kriminale, mos-nxitjen e gjuhës së urrejtjes, respektimin e të drejtës për privatësi të fëmijëve dhe të të miturve etj.


Znj. Hyseni Kelmendi , z. Luan Latifi dhe z. Mirand Tafarshiku bashkëbiseduan me studentët lidhur me plagjiaturën në media, mbrojtjen e fëmijëve dhe të miturve, masat që ndërmerr KPM kur mediat audio-vizuele shkelin kodin e etikës dhe rregulloret tjera të institucionit.

 

INSTITUTI AAB
APLIKO