U promovua libri “Hyj ndër yj” i autores nga Shqipëria, Anila Varfi

11 Tetor 2019

Në prani të dashamirëve të librit dhe studentëve, sot në kuadër të Panairit Vjeshtor të Librit AAB 2019, u promovua libri “Hyj ndër yj” i autores nga Shqipëria, Anila Varfi.
Autorja e librit, Anila Varfi falënderoi Kolegjin AAB për këtë mundësi të promovimit të librit si dhe shtoi ata që do ta lexojnë librin shpreson që ta gjejnë veten diku mes rreshtave.
Libri “Hyj ndër yj” flet për dhimbjen e motrës që ka përjetuar vdekjen e vëllait, pra përshkruhet dashuria e madhe ndaj motrës dhe vëllait, ku autorja me këto poezi e ka përjetësuar dhimbjen në këtë libër duke e ndarë me të tjerët.
Shkrimtarja dhe studiuesja Ilire Zajmi-Rugova, përshkroi tematikën e librit duke thënë se autorja me këtë vepër ka bërë përpjekjen e parë të saj në poezi duke ja kushtuar krejtësisht vëllait të saj të vdekur.
“Disa nga poezitë e këtij libri pikojnë dhimbje pasi që kanë dalë nga një zemër motre që vuan tmerrësisht humbjen e njeriut të dashur, por atë humbje e skalit bukur në vargje, e lavdëron me finesë, për të bërë të pavdekshëm kujtimin për të”, u shpreh Zajmi-Rugova.
Promovimi i këtij libri u përcoll me disa poezi të lexuara nga aktorja Xhejlane Tërbunja.
Vlen të përmendet që edicioni i dytë i Panairit Vjeshtor të Librit AAB 2019, do vazhdojë deri më 12 tetor 2019, në ambientet modern të Kolegjit AAB.

 

 

Share: