Për të vlerësuar veprën dhe kontributin e Fehmi Aganit mbahet forum nderi në Kolegjin AAB

16 Prill 2024
To appreciate the work and contribution of Fehmi Agani, an honorary forum is held at the AAB College

Me rastin e 25 vjetorit të rënies së akademikut dhe profesorit Fehmi Agani, si dhe 25 vjetorit të lirisë së Kosovës është mbajtur forum nderi në Kolegjin AAB.

Ky forum i organizuar nga Kolegji AAB dhe Instituti Shqiptar i Sociologjisë, u moderua nga prorektorja për Marrëdhënie Ndërkombëtare dhe Bashkëpunim Venera Llunji, dhe u realizua në bashkëpunim me Akademinë e Shkencave dhe Arteve të Kosovës, Universitetin “Fehmi Agani” në Gjakovë Shoqata Sociologjike Shqiptare (Shqipëri,Kosovë, Maqedoni e Veriut, Diasporë).

Rektori i Kolegjit AAB. Dr.Sc.  Blerim Olluri, shprehi kënaqësinë dhe nderin për organizimin që solli një numër të madh të të ftuarish, duke thënë se “ky forum na ofron mundësi të çmuar për të nderuar kujtimin për akademik Fehmi Aganin, andaj sot duhet reflektuar mbi vlerat e tij, guximin, vetëmohimin dhe besimin që pati në vlerat e arsimit për transformimin e shoqërisë”.

Zv/ambasadorja e Shqipërisë në Kosovë, znj. Pranvera Dibra përcolli mesazhin e Sh.T. Ambasador Petrit Malajt, duke thënë se “forumi është mbledhur jo vetëm për të kujtuar Aganin por edhe për të festuar trashëgiminë e tij në fushat e sociologjisë dhe filozofisë”.

Me temën “Kosova në 25 vjet liri: arritje, sfida, perspektiva”, profesor Besim Gollopeni nga Instituti i Sociologjisë, Studimeve Demografike dhe Inovacionit, vlerësoi të arriturat që janë shënuar ndër vite, ndërsa përmendi edhe gjendjen që mbizotëronte gjatë kohës së akademikut Agani në Kosovë.

Ndërsa kujtoi vlerat dhe rëndësinë që Agani pati në politikë, z. Ismajl Baftijari, president i Institutit për Shkencë e Teknologji (NSI) në Kosovë, shtjelloi temën “UÇK – LDK dhe prof. Fehmi Agani si bashkues i mendimit politik me atë ushtarak”.

Mentor Agani, i biri i Akademik Fehmi Aganit përmendi disa raste dhe kujtime nga i ati, sfidat me të cilat ishte përballur dhe përpjekjet e shumta për të arritur idealin e tij. Ai tërë këto rrëfime i përmbledhi në fjalimin e tij të titulluar “Im atë Fehmi Agani”.

Prof. dr. Lekë Sokoli nga Instituti Shqiptar i Sociologjisë & UAMD përmes një prezantimi të veprës së plotë të Fehmi Aganit solli disa pika të rëndësishme si botimet, intervistat dhe studimet e tij.

Ceremonia u përmbyll me ndarjen e “Çmimit të ekselencës Fehmi Agani” për shkenca sociale e humane, për profesorin e Fakultetit të Komunikimit Masiv të Kolegjit AAB, Hasan Saliun.

Ky çmim u nda nga prof. Lekë Sokoli dhe rektori i Kolegjit AAB, Dr.Sc. Blerim Olluri.

Share: