Në Kolegjin AAB u mbajt ligjëratë vetëdijësuese për kancerin e gjirit

30 Tetor 2019

Në kuadër të aktiviteteve që shënohen gjithandej në botë, në muajin e vetëdijesimit për kancerin e gjirit, Fakulteti për Teknik të Radiologjisë në Kolegjin AAB, organizoi një ligjëratë për studentet, punonjëset dhe të interesuarit tjerë.

Në këtë ligjëratë të radiologes së njohur Dr.Shkëndije Nuza, u fol ndër të tjera për procesin e sëmundjes së kancerit të gjirit që nga shfaqja e simptomave, vetekzaminimi e deri tek ndikimi psikologjik që arrin të ketë kjo sëmundje tek pacientët.

“Në punën tonë të përditshme, shohim se gjithmonë është dikush që i sjell pacientët për kontrollë dhe ekzaminim, për këtë arsye kemi vendosur që këtë ligjëratë ta mbajmë para jush në mënyrë që të ndikoni në vetëdijesimin e popullatës sonë për këtë sëmundje”, tha Nuza që në fillim të ligjëratës

“Faktorët që na rrezikojnë nga kjo sëmundje ndahen në faktorë të kontrollueshëm dhe të pakontrollueshëm si: mosha, gjenetika, cikli menstrual, lindja e fëmijëve. Secila nga ne mund ta bëjmë vetëekzaminimin para pasqyrës përmes mollëzave të gishtërinjve në mënyrë rrethore por jo me shtypje vetëm me lëvizje sipërfaqësore”, tha Nuza.

Radiologja Nuza, tha gjithashtu se lufta ndaj kësaj sëmundjeje është e vazhdueshme gjatë tërë vitit, ndonëse në muajin tetor sensibilizohet e tërë bota. Ajo po ashtu bëri të ditur se nga kjo sëmundje preken edhe meshkujt, por rastet e tilla janë shumë të rralla (vetëm 1% e popullsisë botërore).

Nga ana tjetër, eksperti i Radiologjisë, Dr. Bujar Gjikolli, tha se organizimi i ligjëratave të tilla vetëdijesuese tani e tutje në Fakultetin për Teknik të Radiologjisë, do të jetë tradicional: “Vitet në vijim në muajin tetor do të organizojmë gjithnjë evente dhe aktivitete që kanë kriter vetëdijesues lidhur me sëmundjen e kancerit të gjirit. Kjo është një sëmundje e rrezikshme dhe në rritje, e cila mund te kalojë edhe në sëmundje kronike”, u shpreh z.Gjikolli.

Ndryshe, në bazë të statistikave të QKUK-së në vendin tonë, vetëm gjatë vitit 2019, janë regjistruar rreth 200 raste të reja me kancerin e gjirit.  

Share: