AAB qendra kryesore e kulturës në vend

3 Qershor 2024

Muaji maj solli në Kolegjin AAB ngjarjet më të spikatura kulturore në vend, duke e bërë edhe një herë tjetër institucionin qendrën e tyre dhe peshës që bartin me vete aktivitete të tilla.

Duke vazhduar traditën e përcjellur me sukses të jashtëzakonshëm, “Prishtina International Theater Festival” hapi kapitullin për edicionin e tetë me radhë. Në ceremoninë e hapjes morën pjesë figura të rëndësishme shtetërore si: Kryeministri i Republikës së Kosovës Albin Kurti, Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit z. Hajrullah Çeku, Ambasadori i Shqipërisë në Kosovë Sh.T Petrit Malaj, Ambasadori i Malit të Zi në Kosovë Sh.T Bernard Çobaj dhe shumë personalitete tjera nga jeta publike.

Festivali zgjati një javë, ndërsa solli trupat teatrale nga mbarë bota në dy teatrot e Kolegjit AAB. Gjatë kësaj jave përveç shfaqjeve u zhvilluan edhe aktivitete si: workshop me regjisorin Filip Petkovski nga Maqedonia e Veriut, masterclass me regjisoren Ana Vukotić nga Mali i Zi, ekspozitë nga fotografi Arton Humolli, orë letrare me poetin Agim Vinca dhe “Poetry night” me poetët Halil Matoshi dhe Lulzim Tafa.

“Prishtina Arts and Architecture Festival”, nisi rrugëtimin e pestë në Fakultetin e Arteve të Kolegjit AAB nga data 24 maj. Ky festival kishte për qëllim promovimin e punës dhe talenteve të studentëve nga Fakulteti i Arteve, i cili edhe këtë vit vuri në pah krijimtarinë e tyre për të gjithë vizitorët. Në kuadër të PAAF u zhvilluan ekspozita, sfilata mode, punëtori etj.

Studentët janë qendra e Kolegjit AAB, andaj puna dhe angazhimi i tyre vihet në rend të parë çdoherë. Talentet dhe vullneti i tyre u përçua përmes ekspozitës kolektive studentore të Fakultetit të Shkencave Sociale, me kurator profesorin Eroll Murati. Koncepti i saj ishte ndërtuar mbi emocionet individuale të studentëve të këtij fakulteti, të shfaqura ndërmjet pikturave reale, abstrakte dhe skulpturës, me teknika të kombinuara dhe objekteve nga klasikja deri te modernja.

Këto aktivitete dhe ngjarje kulturore u pasuan me ekspozitën e artistit dhe këngëtarit të mirënjohur Nikollë Nikprelaj, të titulluar “Tinguj Zemre”, me kurator pedagogun dhe artistin Hajrush Fazliu. Në hollin e Teatrit AAB “Faruk Begolli” ku u realizua hapja e ekspozitës, morën pjesë një numër i madh artistësh të mirënjohur dhe studentë nga të gjitha fakultetet.

Përveç këtyre ngjarjeve kyçe, në Kolegjin AAB u mbajtën edhe Java Ndërkombëtare e Stafit, Java e Sportit, edicioni i tretë I Kongresit Ndërkombëtar të Stomatologjisë “Prishtina Dental Weekend”, promovime librash, ndarja e titullit “Profesor Nderi” për poetin Agim Vinca dhe dy personalitete të shquara amerikane Dr. Benjamín Fernández Bogado dhe Dr. Peter Marko Tase, ligjëratë dhe koncert në kuadër të Javës së Kulturës Kroate etj.

Share: