Studentët e Fakultetit të Administratës Publike, anëtarë të Klubit të Debatit, u pritën sot nga shefi i Taks Forcës kundër narkotikëve dhe siguria në shkolla z. Avdullah Hasani, në kuadër të aktivitetit ,,Siguria në Kosovë dhe Gjenerata e re në Luftën Kundër Narkotikëve”.
Në këtë takim, që u mbajt në Qeverinë e Kosovës, u tha se gjenerata e re e shtetit tonë ka të njëjtat vlera, dije, aftësi dhe shkathtësi me gjeneratat e reja të Bashkimit Evropian dhe i vetmi dallim që shfaqet sot është mungesa e lirisë së lëvizjes. Shefi i Task forcës kundër narkotikëve, Avdullah Hasani, tregoi se hapat e parë konkret të kësaj task force janë: fushatat sensibilizuese të cilat shërbejnë jo vetëm për të rinjtë mirëpo edhe për opinionin e gjerë. Më tej z. Hasani i njoftoi studentët edhe për punët e reja si dhe formimin e një lënde obligative shkollore për adoleshentët për informimin e tyre rreth substancave të varshmërisë të cilat e dëmtojnë shëndetin e njeriut.
Në këtë takim dekani i Fakultetit të Administratës Publike z. Petrit Bushi, e falënderoi z. Hasani për pritjen e bërë, dhe tha se trajtimi i çështjes së narkotikëve është kompleks, mirëpo shpresa duhet të jetë gjithmonë që përdorimi i substancave narkotike të jetë në numër sa më të vogël.
Takimi vazhdoi me një debat të hapur nga studentët mbi mundësinë e parandalimit të përdorimit të substancave narkotike.