Përfundimet e konferencës shkencore: S’ka shmangie nga mediat, njeriu të kërkojë jetë më të mirë në to

19 Qershor 2024

Njeriu jeton sot në media dhe vetërealizimi i tij bëhet nëpërmjet mediave. Transformimet i vëren më shumë brezi i pjekur i emigruar online, ndërsa brezi i lindur dhe i rritur online është i lidhur emocionalisht me to. Prandaj, çdo edukim mediatik duhet të ketë për bazë emocionin, qoftë ky pozitiv apo negativ që shkakton media. Nuk mund të themi nëse teknologjia është bërë më njerëzore, apo njeriu është teknologjizuar e robotizuar më shumë sot në epokën e intelegjencës artificiale. Sidoqoftë, njeriu që tashmë jeton me mediat dhe në media, duhet të kërkojë të bëjë jetë më të mirë në to, sepse shmangia nga to është e pamundur.

Këto ishin disa nga përfundimet kryesore të konferencës shkencore ndërkombëtare të komunikimeve, të shpalosura nga studiuesi eminent Mark Deuze, i cili ishte njëri nga dy folësit kryesorë të konferencës me titull “Informimi, media dhe e vërteta në epokën e pas së vërtetës dhe intelegjencës artificiale”.

Në këtë konferencë të organizuar nga Fakulteti i Komunikimit Masiv i Kolegjit AAB në bashkëpunim me Departamentin e Gazetarisë dhe Komunikimit të Universitetit të Tiranës dhe Institutit të Komunikimeve të Greqisë, u prezantuan 53 kumtesa dhe studime, të ndara në 8 sesione paralele, ku morën pjesë disa dhjetëra autorë nga: Holanda, Polonia, Gjermania, Mbretëria e Bashkuar, Nigeria, Maqedonia e Veriut, Italia, Franca, Maroku, Kroacia, India, Malajzia, Shqipëria, Mali i Zi dhe Kosova.

Kjo është konferenca shkencore e 14-të me radhë e komunikime në 10 vitet e fundit, të cilat janë organizuar nga Kolegji AAB apo në partneritet me institucione të tjera arsimore europiane.

Share: