Studentët e programit Siguri Kibernetike në Fakultetin e Shkencave Kompjuterike, kanë marrë pjesë në edicionin e 8-të të Konferencës për Integritetin e Informacionit – DISICON, me temën “Teknologjia, e vërteta dhe besueshmëria”. Kjo konferencë mblodhi ekspertë të fushës së teknologjisë, profesorë, përfaqësues të industrisë dhe studentë, për të diskutuar sfidat dhe mundësitë në botën digjitale. Studentët e Kolegjit AAB treguan një angazhim të jashtëzakonshëm gjatë sesioneve plenare, punëtorive dhe diskutimeve me ekspertë të njohur, veçanërisht në sesionin “Zbatimi i Aktit të Shërbimeve Dixhitale: Implikimet për Median, Platformat dhe Përdoruesit”.
Ky sesion udhëhiqej nga personalitete të shquara si Teuta Sahatqija (Ambasadore, Women in Tech, Kosovë), Ana Toskic Cvetinovic dhe Agim Kukaj (Drejtor i Departamentit të Telekomunikacionit dhe Informatikës, MZHE).
Profesori i Fakultetit të Shkencave Kompjuterike Shkëlqim Miftari, i cili ishte gjithashtu pjesëmarrës në këtë konferencë, vlerësoi angazhimin e studentëve duke theksuar se vazhdimisht kanë treguar interesim lidhur me konferencat e organizuara nga NDI, si dhe ngjarje të tjera të rëndësishme në fushën e teknologjisë.