Kolegji AAB në Tryezë për Strategjinë e Arsimit 2035+ me propozime për transformimin e arsimit të lartë

15 Korrik 2026

Kolegji AAB mori pjesë në tryezën konsultative të organizuar nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës në kuadër të procesit të hartimit të Strategjisë së Arsimit të Kosovës 2035+, ku u diskutuan prioritetet kryesore për zhvillimin afatgjatë të arsimit të lartë në vend.

Në këtë takim, Kolegji AAB u përfaqësua nga prorektorja për Marrëdhënie dhe Bashkëpunim Ndërkombëtar, Prof. Ass. Dr. Venera Llunji, e cila prezantoi qëndrimet dhe rekomandimet e institucionit lidhur me ndërtimin e një sistemi modern, konkurrues dhe të integruar të arsimit të lartë në Kosovë.

Gjatë diskutimit, pro-rektorja Llunji theksoi nevojën që Strategjia e re e Arsimit të bazohet në parimet e cilësisë, performancës, inovacionit dhe ndërkombëtarizimit, duke promovuar një qasje të re ku institucionet e arsimit të lartë vlerësohen mbi bazën e rezultateve konkrete dhe jo të statusit të tyre juridik.

Në emër të Kolegjit AAB, prorektorja Llunji paraqiti disa propozime strategjike, ndër të cilat veçohen krijimi i një sistemi unik kombëtar të arsimit të lartë, reforma e mekanizmave të sigurimit të cilësisë, fuqizimi i kërkimit shkencor dhe i studimeve doktorale, si dhe avancimi i politikave të ndërkombëtarizimit përmes zhvillimit të programeve të përbashkëta ndërkombëtare, diplomave të dyfishta dhe mikrokredencialeve.

Një vëmendje e veçantë iu kushtua nevojës për reformimin e kuadrit ligjor në arsimin e lartë, duke propozuar që avancimi institucional të bazohet në kapacitetet akademike dhe performancën e institucioneve. Në këtë kontekst, pro-rektorja Llunji rekomandoi rishikimin e dispozitave ligjore që kufizojnë zhvillimin institucional dhe krijimin e mundësisë që statuset “Kolegj Universitar” dhe “Universitet” të fitohen mbi bazën e standardeve të cilësisë, kërkimit shkencor dhe ndërkombëtarizimit, në përputhje me praktikat e Hapësirës Evropiane të Arsimit të Lartë.

Po ashtu, Pro-rektorja theksoi rëndësinë e krijimit të një sistemi të orientuar drejt rezultateve, ku financimi, akreditimi dhe zhvillimi institucional të mbështeten në tregues të matshëm të performancës, ndikimit shoqëror dhe kontributit në zhvillimin ekonomik të vendit.

Pjesëmarrja e Kolegjit AAB në këtë proces konsultativ rikonfirmon përkushtimin e institucionit për të qenë partner aktiv në hartimin e politikave publike dhe në ndërtimin e një vizioni të përbashkët për arsimin e Kosovës.

Kolegji AAB mbetet i përkushtuar që, përmes ekspertizës akademike, përvojës ndërkombëtare dhe angazhimit institucional, të kontribuojë në krijimin e një Strategjie të Arsimit 2037+ që do të sigurojë një sistem arsimor më cilësor, më konkurrues dhe më të integruar në zhvillimet evropiane dhe globale.

Share: