Studentët e AAB-së vullnetarë në luftimin e pandemisë COVID-19

27 Prill 2020
Pandemia Covid-19

Elionita Halimi është studente e Fakultetit të Infermierisë në Kolegjin AAB. Sikurse edhe qindra të rinj të tjerë, edhe ajo është angazhuar në punë vullnetare për të ndihmuar personat e karantinuar në Qendrën e Studentëve.

Elionita tregon se ajo është e angazhuar për plotësimin e nevojave rutinore shëndetësore dhe përmbushjen e kërkesave në aspektin fizik dhe mendor të personave që po qëndrojnë të izoluar aty. Puna vullnetare sipas saj është mënyrë e shprehjes së humanizmit për popullin pa dallim si në kohë pandemie ashtu edhe në kohë normalizimi.

“Duke vendosur të studioj në Fakultetin e Infermierisë në Kolegjin AAB, veçse kam zgjedhur drejtimin e humanizmit. Puna jonë është shprehja e humanitetit ndaj qytetarëve dhe popullit tonë kur kanë nevojë për ne. Ndihma ndaj njëri-tjetrit konsideroj se është çelësi i të gjitha virtyteve pozitive që na dallon ne si qenie njerëzore”, 

tha Elionita.

Për Elionitën, ky kontribut në kuadër të luftimit të pandemisë COVID-19, nuk është i vetmi sepse ajo duke qenë e certifikuar nga Komiteti Olimpik Ndërkombëtar në Kore për trajnere në Taekwondo – mjeshtre 1 dan, zhvillon vazhdimisht edhe aktivtitete me fëmijë në shumë kopshte.

Duhet përmendur në fund se nuk është vetëm Elionita e angazhuar në punë vullnetare, sepse studentët e AAB-së tashmë janë angazhuar në aktivitete të këtilla edhe në shumë komuna të tjera.

Share: