Komunikim Masiv
Misioni i Fakultetit tё Komunikimit Masiv është të veprojë si një qendër e suksesshme dhe produktive e ekselencës akademike, kërkimore dhe profesionale në fushën e medias dhe komunikimit, për të përgatitur gazetarë profesionistë, operatorë mediatikë dhe ekspertë të komunikimit publik, të cilët kontribuojnë në përmirësimin e vazhdueshëm të një shoqërie demokratike.
Për të arritur këtë mision, Fakulteti i Komunikimit Masiv ka zhvilluar objektivat strategjike në vijim, të cilat burojnë nga deklarata e misionit:
- t’u ofrojë studentëve mësimdhënie bashkëkohore për fitimin e njohurive të avancuara dhe specifike ndërdisiplinore që lidhen me fushën e gazetarisë, prodhimit mediatik dhe studimeve në media dhe komunikim;
- të sigurojë staf akademik të kualifikuar dhe të specializuar në fushën e medias dhe komunikimit;
- të rrisë njohuritë shkencore në fushën e medias dhe komunikimit përmes botimeve, konferencave dhe projekteve shkencore;
- t’u ofrojë studentëve kushte optimale për të ndjekur praktikat profesionale si në mediat e Kolegjit AAB, ashtu edhe në mediat tjera në Kosovë;
- të përgatisë studentët për punësim dhe zhvillim karriere në tregjet mediatike lokale, rajonale dhe ndërkombëtare;
- t’u mundësojë studentëve të zbatojnë në mënyrë të pavarur njohuritë teorike dhe aftësitë praktike gjatë ushtrimit të profesionit;
- të krijojë mundësi dhe të përfshijë studentët në mënyrë aktive në diskutime, konferenca shkencore dhe projekte krijuese;
- t’i përfshijë studentët në diskutime për çështje publike përmes organizimit të debateve me aktorë mediatikë dhe shoqërorë;
- të mundësojë pjesëmarrjen e studentëve në aktivitete dhe projekte ndërkombëtare që lidhen me komunikimin dhe të nxisë mobilitetin;
- të angazhojë studentët në projekte lokale dhe komunitare për zbatimin e njohurive akademike dhe aftësive praktike si kontribut ndaj shoqërisë.
Qëllimi kryesor i Fakultetit ё Komunikimit Masiv është të përgatisë gazetarë dhe operatorë mediatikë me njohuri dhe aftësi të avancuara, si dhe ekspertë të komunikimit publik me njohuri dhe aftësi specifike, të cilët, duke hyrë në tregun e punës, do të kontribuojnë çdo ditë në përmirësimin e shoqërisë. Kuptimi kritik i teorive kryesore të komunikimit dhe modeleve pozitive të praktikës gazetareske, si dhe zotërimi i teknologjive të prodhimit mediatik, përbëjnë pjesë të avancuara të programeve që ofron Fakulteti i Komunikimit Masiv në profilet e gazetarisë, komunikimit dhe prodhimit mediatik.