AMBASADORI HUNGAREZ, SH.T. DR. LÁSZLÓ ISTVÁN DUX VIZITOI KOLEGJIN AAB

15 Tetor 2025

Ambasadori i Hungarisë në Kosovë, Sh.T. Dr. László István Dux, vizitoi Kolegjin AAB ku u mirëprit nga Rektori, Dr.Sc. Blerim Olluri.

Forcimi i Bashkëpunimit Akademik dhe Kulturor

Takimi u zhvillua në një atmosferë miqësore dhe shërbeu për të diskutuar mundësitë e bashkëpunimit mes Ambasadës së Hungarisë në Kosovë dhe Kolegjit AAB në fushat e arsimit, shkencës, artit dhe kulturës.

Gjatë bisedës u theksua rëndësia e thellimit të bashkëpunimit me institucionet e arsimit të lartë të Hungarisë, përmes nënshkrimit të Memorandumeve për Bashkëpunim (MoU). Këto marrëveshje synojnë krijimin e mundësive për shkëmbime studentore dhe akademike, duke përfshirë mobilitetin Erasmus+ dhe projekte të përbashkëta, rritjen e vizibilitetit ndërkombëtar të Kolegjit AAB dhe partnerëve hungarezë për të forcuar prezencën akademike në nivel global, si dhe mundësimin e pjesëmarrjes së studentëve dhe stafit në Javë Ndërkombëtare, ligjërata, seminare dhe konferenca ndërkombëtare.

Vizita në Ambientet e Kolegjit AAB

Gjatë vizitës,  ambasadori vizitoi ambientet e Kolegjit AAB, duke përfshirë laboratorët e Fakultetit të Shkencave Kompjuterike, sallat dentare të Fakultetit të Stomatologjisë, ambientet sportive të Fakultetit të Edukimit Fizik dhe Sportit, laboratorët e Fakultetit Juridik, teatrot e Kolegjit AAB, si dhe ambientet e ATV-së.

U diskutua gjithashtu mbështetja e ambasadorit Festivali Ndërkombëtar i Teatrove në Prishtinë  PITF 2026, si dhe shumë mundësi të tjera bashkëpunimi të ngushtë ndërmjet Ambasadës së Hungarisë, institucioneve të arsimit të lartë hungarez dhe Kolegjit AAB.

Bashkëpunimet Ekzistuese me Universitetet Hungareze

Kolegji AAB ka tashmë Memorandume Bashkëpunimi (MoU) me dy universitete të njohura hungareze, Széchenyi István University, Győr dhe Károli Gáspár University of the Reformed Church, Budapest.

Këto marrëveshje krijojnë mundësi të rëndësishme për: shkëmbime studentore dhe staf akademik, pjesëmarrje në ngjarje dhe aktivitete të ndryshme akademike dhe hulumtuese dhe jo vetëm, konferenca dhe projekte kërkimore të përbashkëta, si dhe zhvillimin e bashkëpunimeve në fushat e arsimit, shkencës, artit dhe kulturës.

Ky takim nënvizoi angazhimin e Kolegjit AAB për forcimin e marrëdhënieve ndërkombëtare, rritjen e vizibilitetit akademik dhe krijimin e mundësive të reja për studentët dhe stafin në nivel global.

Share: