Në Kolegjin AAB është hapur sot zyrtarisht Panairi i Karrierës për Teknologji, një nga ngjarjet më të rëndësishme të vitit për studentët e Fakultetit të Shkencave Kompjuterike, dhe për të gjithë të rinjtë e interesuar për karrierë në fushën e teknologjisë.
Ky panair ka mbledhur në edicionin e sivjetmë dhjetëra kompani të njohura të industrisë teknologjike, profesionistë të fushës, si punëdhënës potencialë për studentët e interesuar.
Hapja e panairit u bë nga udhëheqësja e Qendrës për Karrierë në Kolegjin AAB, njëherazi organizator të ngjarjes, Jehona Rukovci, e cila falënderoi të pranishmit dhe kompanitë për bashkëpunimin ndër vite për të realizuar suksesshëm një ngjarje si kjo.
Rektori i Kolegjit AAB, Prof.Dr. Blerim Olluri, iu uroi mirëseardhje të ftuarve ndërsa tha se AAB vazhdon të mbetet institucion i përkushtuar ndaj përparimit të dijes dhe krijimit të mundësive për gjeneratat e reja.
“Ne besojmë thellësisht se të ardhmen mund ta ndërtojmë vetëm përmes hulumtimit të qëndrueshëm, bashkëpunimit të ngushtë ndërmjet akademisë dhe industrisë, si dhe kultivimit të kreativitetit dhe kurajos për të eksploruar të panjohurën. Sot, ky panair është dëshmi e përkushtimit tonë për të qenë pjesë aktive e këtij transformimi”, tha Olluri ndër të tjera.
Dekani i Fakultetit të Shkencave Kompjuterike, Prof. Arben Ahmeti, vlerësoi rëndësinë e panairit për studentët nga ky program, duke thënë se ngjarja shërben si urë lidhëse mes arsimit dhe industrisë së teknologjisë.
Gjatë këtij panairi studentët patën mundësinë të lidhen drejtpërdrejt me kompanitë pjesëmarrëse, në një hapësirë ideale për rrjetëzim, shkëmbim përvojash dhe orientim karriere.



