Në Fakultetin e Gjuhëve të Huaja, Kolegji AAB u zhvillua një ligjëratë hibride në kuadër të lëndës së Letërsisë Amerikane. Ligjërata me temën “A Brief Survey of Modern American Drama: Eugene O’Neill, Tennessee Williams, Arthur Miller and Edward Albee” u mbajt nga Prof. Assoc. Dr. Réka M. Cristian, ligjëruese në Departamentin e Studimeve Amerikane të Universitetit të Szeged, Hungari.
Profesoresha, një studiuese e njohur ndërkombëtarisht për kontributet në fushën e letërsisë moderne amerikane, teorive të studimeve amerikane dhe studimeve filmike, paraqiti një historik të zhvillimit të dramës në SHBA, duke u fokusuar në periudhën moderne.
Gjatë ligjëratës, ajo ofroi një analizë kritike dhe perspektiva të reja mbi rolin, kontributin dhe veprat e katër dramaturgëve të shquar: Eugene O’Neill, Tennessee Williams, Arthur Miller dhe Edward Albee. Kjo temë është pjesë e programit akademik të lëndës dhe zhvillimi i ligjëratës u koordinua me profesorin e lëndës, Fatmir Ramadani, i cili e ftoi profesoreshën për këtë bashkëpunim.
Studentët morën pjesë me interes të lartë, duke kontribuar me pyetje dhe diskutime të ndryshme.

