Në Kolegjin AAB promovohet libri “Zëra të padëgjuar” mesazh i fuqishëm për dinjitet, drejtësi dhe kujtesë

16 Dhjetor 2025

Në bibliotekën e Kolegjit AAB është mbajtur promovimi i librit “Zëra të padëgjuar – rrëfimet e burrave që kanë përjetuar dhunë seksuale gjatë luftës”, një vepër me peshë të veçantë njerëzore dhe shoqërore.

Studentët e nivelit Master të Fakultetit të Gjuhëve të Huaja të Kolegjit AAB ishin pjesëmarrës aktivë në këtë aktivitet, i cili u hap me një fjalë hyrëse nga psikologia klinike e Qendrës për Rehabilitim të të Mbijetuarve të Dhunës dhe Torturës, znj. Selvie Izeti, mbi pasojat e dhunës seksuale dhe rëndësinë e mbështetjes profesionale për të mbijetuarit.

Z. Ramadan Nishori ndau historinë e tij personale me emocion dhe dinjitet, duke përcjellë një mesazh të fortë për guximin, forcën dhe shpresën. Rrëfimi i tij u prit me duartrokitje të shumta, pyetje dhe mesazhe mbështetjeje nga studentët dhe të pranishmit, duke krijuar një atmosferë thellësisht emocionale dhe njëkohësisht shpresëdhënëse.

Gjatë takimit u theksua rëndësia e vënies së drejtësisë në vend, zbatimit të ligjeve në shërbim të qytetarëve dhe mbështetjes së vazhdueshme për të gjithë ata që kanë përjetuar dhunë seksuale gjatë luftës. Përveç librit Zëra të padëgjuar”, z. Nishori është autor edhe i veprës “Përtej Dhimbjes, Drejt Guximit”, ku rrëfen rrugëtimin nga dhimbja drejt forcës dhe shpresës.

Kolegji AAB vazhdon të jetë një hapësirë e dialogut, ndërgjegjësimit dhe solidaritetit, duke afirmuar vlera universale që rezonojnë përtej kufijve kombëtarë.

Share: