Përfaqësuesi Special i BE-së, Szunyog: “Askush nuk mund t’ ju detyrojë të veproni, apo të nënshkruani diçka që nuk është në interesin tuaj”

26 Tetor 2020

Përfaqësuesi Special i Bashkimit Evropian në Kosovë, Sh.T. Tomáš Szunyog gjatë takimit me studentët e Kolegjit AAB, foli për rolin e tij si Përfaqësues Special në Kosovë dhe po ashtu i siguroi studentët se ai do ta luajë rolin e tij udhëheqës në promovimin e një Kosove të qëndrueshme, paqësore, demokratike dhe multi-etnike, duke ngërthyer rëndësinë e forcimit të stabilitetit në rajon dhe duke kontribuar në bashkëpunimin rajonal dhe marrëdhëniet e mira fqinjësore. Përfaqësuesi Special i BE theksoi se edhe ai do të promovojë një Kosovë që është e përkushtuar për sundimin e ligjit, për mbrojtjen e pakicave, të trashëgimisë kulturore dhe fetare në Kosovë.
Diplomati i BE-së theksoi po ashtu se mbështet perspektivën evropiane të Kosovës dhe afrimin me BE-në në përputhje me perspektivën e rajonit dhe në përputhje me Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit.

Në bisedë interaktive me studentët u diskutua edhe për politikë globale, për marrëdhëniet mes shteteve të ndryshme në botë dhe çfarë ndikimi politikat dhe marrëdhëniet e shteteve të tjera mund të kenë edhe në Kosovë.
Padyshim që tema më sfiduese ishte liberalizimi i vizave për Kosovën por kishte edhe pyetje që lidheshin me Gjykatës Speciale të Hagës, pasojat e asaj Gjykate për shtetin e Kosovës, ndryshimet kushtetuese që u bënë temë e ‘nxehtë’ këto ditë, njohja e Kosovës nga Izraeli, mospërkrahja e BE-së për hapjen e Ambasadës së Kosovës në Jerusalem në vend se të hapej në në Tel-Aviv, e shumë pyetje të tjera të cilat domosdoshmërisht janë të rëndësishme edhe për studentët.

Porosia e Ambasadorit në këtë takim ishte që zhvillimi i vendit tonë, ecja jonë drejt BE-së, drejt OKB-se varet nga vet ne. “Është në dorën tuaj! Askush nuk mund t’ ju detyrojë të veproni, apo të nënshkruani diçka që nuk është në interesin tuaj!” Ajo që duhet theksuar po ashtu është pozitiviteti i Ambasadorit Szunyog dhe shpresa e tij se çdo gjë do të ecë siç duhet dhe në momentin e duhur nëse ne jemi të gatshëm t’ i ndihmojmë vetes dhe vendit tonë në këto procese mjaft sfiduese dhe të gjata.

Para takimit me studentët, Sh.T. Tomáš SZUNYOG, i përcjellur nga prof. Nexhmedin Spahiu, u prit nga zv.rektori, Prof.Ass.Dr. Shemsedin Vehapi dhe pro-rektorja për bashkëpunim dhe marrëdhënie ndërkombëtare, Prof. Ass. Dr. Venera Llunji, me ç’ rast Përfaqësuesi Special Szunyog u njoftua për historikun e Kolegjit AAB, zhvillimin dhe përparimin e bërë, kushtet nën të cilat studentët studiojnë, përparësitë e tyre si studentë në këtë kolegj, jetën studentore dhe sfidat me të cilat përballet sot rinia e Kosovës.

Share: