Me rastin e ditëlindjes së Madhërisë së Tij, Perandorit të Japonisë, Rektori i Kolegjit AAB, Blerim Olluri, së bashku me Pro-rektoren Venera Llunji dhe Drejtorin e Bibliotekës, Urim Sallauka, ishin të ftuar me ftesë zyrtare nga Ambasadori i Japonisë në Kosovë, z. Lëama Kiminori.
Gjatë kësaj ngjarje solemne, rektori Olluri u takua me ambasadorin Kiminori, me ç’rast shprehu mirënjohjen e tij të veçantë për bashkëpunimin e vazhdueshëm dhe të suksesshëm ndërmjet Kolegjit AAB dhe Ambasadës së Japonisë në Kosovë.
Të dy palët theksuan kënaqësinë për aktivitetet dhe iniciativat e përbashkëta të realizuara deri më tani, si dhe shprehën gatishmërinë për thellimin e mëtejmë të bashkëpunimit në fusha me interes të përbashkët.
Në këtë kontekst, u riafirmua rëndësia e forcimit të marrëdhënieve institucionale në arsim, kulturë dhe shkencë, duke synuar zhvillimin e projekteve dhe aktiviteteve të reja që kontribuojnë në avancimin e bashkëpunimit ndërkombëtar dhe shkëmbimit akademik.
Kolegji AAB mbetet i përkushtuar në ndërtimin e partneriteteve strategjike me institucione dhe përfaqësi diplomatike, me qëllim promovimin e vlerave akademike, kulturore dhe shkencore në nivel vendor dhe ndërkombëtar.