Rektori i Kolegjit AAB zhvillon takim në Ambasadën e Kosovës në Lisbonë

11 Shkurt 2026

Rektori i Kolegjit AAB, Prof. Blerim Olluri, i shoqëruar nga Prorektorët Prof. Venera Llunji dhe Prof. Gëzim Shabani, si dhe zyrtarja e Zyrës së Projekteve,  Ereza Mehmeti, zhvilluan një takim të rëndësishëm me Shkëlqesinë e Saj, znj. Edona Maloku-Bërdyna, Ambasadore e Republikës së Kosovës në Portugali, në ambientet e Ambasadës së Kosovës në Lisbonë.

Takimi u karakterizua nga një frymë e hapur bashkëpunimi dhe vizioni të përbashkët për fuqizimin e rolit të arsimit të lartë në promovimin ndërkombëtar të Kosovës. Diskutimet u përqendruan në zhvillimet bashkëkohore në fushën e arsimit të lartë, rritjen e bashkëpunimit ndërkombëtar, organizimin e konferencave dhe forumeve shkencore, si dhe zgjerimin e mundësive për shkëmbime akademike dhe projekte të përbashkëta.

Një theks i veçantë iu kushtua rëndësisë së rrjetezimit ndërkombëtar dhe vlerësimit ndërkombëtar si elementë kyç për ngritjen e cilësisë akademike dhe rritjen e dukshmërisë së institucioneve të arsimit të lartë të Kosovës në arenën globale. Palët diskutuan gjithashtu mbi mundësitë konkrete për thellimin e bashkëpunimit me institucione portugeze dhe evropiane, duke shfrytëzuar diplomacinë akademike si urë lidhëse ndërmjet vendeve.

Rektori Olluri theksoi përkushtimin e Kolegjit AAB për të qenë një institucion lider në rajon në fushën e ndërkombëtarizimit, kërkimit shkencor dhe inovacionit, ndërsa Ambasadorja Maloku-Bërdyna rikonfirmoi gatishmërinë e Ambasadës për të mbështetur çdo iniciativë që kontribuon në avancimin e arsimit të lartë dhe prezantimin dinjitoz të Kosovës në Portugali. Ky takim përbën një hap të rëndësishëm drejt forcimit të bashkëpunimit institucional dhe zgjerimit të perspektivave ndërkombëtare për studentët dhe stafin akademik të Kolegjit AAB.

Share: