Kolegji AAB në mesin e tri vendeve të para në International Cyber Defense Competition

23 Shkurt 2026

Kolegji AAB ka marrë pjesë në edicionin e pestë të International Cyber Defense Competition (ICDC), i cili u mbajt në kampusin e RIT Kosovo. Studentët e Fakultetit të Shkencave Kompjuterike përfaqësuan institucionin me profesionalizëm, qëndrueshmëri dhe kompetencë në një nga garat më sfiduese të mbrojtjes kibernetike në rajon.

Në garë morën pjesë rreth 40 ekipe nga ShBA, Kosova, Maqedonia Veriore dhe Shqipëria. Ekipi mbajti pozitat në mesin e tri vendeve të para për pjesën më të madhe të garës, falë përgatitjes sistematike, disiplinës dhe bashkëpunimit të fortë ekipor.

Nën udhëheqjen e kapitenit Xhavit Basha, ekipi përbëhej nga studentët: Joni Berisha, Jon Fejzullahu, Mirand Maliqi, Edison Bujupi, Arjanit Pronaj dhe Erblin Kuçi. Gjatë gjithë zhvillimit të garës, studentët u mbështetën nga profesorët Fehmi Hysenaj dhe Taulant Zeka, si dhe nga dekani Arben Ahmeti dhe koordinatorja Agnesa Bajgora, të cilët ofruan përkrahje akademike dhe institucionale në çdo fazë të sfidës.

Pjesëmarrja në International Cyber Defense Competition përfaqëson një mundësi të vlefshme për zhvillimin e aftësive të avancuara praktike në mbrojtjen kibernetike, menaxhimin e incidenteve dhe reagimin ndaj sulmeve në kohë reale. Studentët e Fakultetit të Shkencave Kompjuterike fituan përvojë konkrete në një ambient simulues profesional, duke rritur gatishmërinë e tyre për tregun ndërkombëtar të punës.

Performanca e studentëve të Shkencave Kompjuterike të Kolegjit AAB dëshmon kapacitetin, potencialin dhe standardin e lartë akademik që institucioni paraqet në arenën ndërkombëtare të sigurisë kibernetike. Ky sukses forcon pozitën e AAB-së si një nga institucionet lider në Kosovë dhe rajon në fushën e teknologjisë dhe inovacionit.

Share: