Rektori i Kolegjit AAB, Dr. Sc. Blerim Olluri, zhvilloi një takim të rëndësishëm me Rektoren e Istanbul Kültür University (IKU), Prof. Dr. Fadime Üney Yüksektepe, Zëvendës-rektoren Prof. Dr. Burcu Yavuz Tiftikçigil, si dhe İpek Çalışır, Zëvendës-drejtoreshë e Zyrës Ndërkombëtare.
Rektori Olluri shoqërohej nga Prorektore Venera Llunji dhe Profesor Engin Melekoglu, në një takim që u karakterizua nga fryma e bashkëpunimit dhe vizioni i përbashkët për zhvillimin e mëtejshëm të arsimit të lartë.
Gjatë takimit u diskutua për thellimin e bashkëpunimit institucional përmes rritjes së aktiviteteve të përbashkëta akademike dhe hulumtuese, si dhe zhvillimit të projekteve konkrete në fusha me rëndësi strategjike. Theks i veçantë iu kushtua bashkëpunimit në inxhinierinë kompjuterike, forenzikën, inteligjencën artificiale dhe sigurinë kibernetike.
Palët u dakorduan për intensifikimin e organizimit të konferencave shkencore, seminareve dhe takimeve të përbashkëta ndërmjet stafit akademik, si dhe për përfshirjen e fakulteteve të ndryshme nga të dy institucionet në këto iniciativa.
Rektorja Üney Yüksektepe dhe ekipi i saj shprehën gatishmërinë për të thelluar bashkëpunimin me Kolegjin AAB, duke vlerësuar potencialin për projekte të përbashkëta dhe shkëmbime akademike.
Ky takim shënon një hap të rëndësishëm drejt forcimit të partneriteteve strategjike ndërkombëtare dhe krijimit të një platforme të qëndrueshme bashkëpunimi në funksion të zhvillimit akademik dhe shkencor të të dy institucioneve.
