Rektori i Kolegjit AAB, Prof. Dr. Sc. Blerim Olluri, zhvilloi takimin e radhës në kuadër të vizitës së tij zyrtare në Turqi, këtë herë me Prof. Dr. Funda Yağcı Acar, Zëvendëspresidente për Çështje Akademike në Koç University.
Takimi u fokusua në thellimin e bashkëpunimit ndërinstitucional, me theks të veçantë në mbështetjen institucionale për stafin akademik dhe studentët, si dhe zgjerimin e mundësive për shkëmbime në kuadër të programit Erasmus+.
Gjatë diskutimeve, palët trajtuan mundësitë për zhvillimin e projekteve të reja të përbashkëta dhe intensifikimin e publikimeve shkencore të përbashkëta, duke synuar rritjen e ndikimit akademik dhe shkencor në nivel ndërkombëtar.
Një vëmendje e veçantë iu kushtua organizimit të samiteve dhe aktiviteteve të përbashkëta në fusha me rëndësi strategjike, si teknologjia, inteligjenca artificiale, siguria kibernetike dhe shkencat kompjuterike, por edhe në fusha të tjera me interes të përbashkët.
Po ashtu, u diskutua për organizimin e vizitave studimore dhe ligjëratave të përbashkëta, me qëllim shkëmbimin e përvojave dhe ngritjen e cilësisë së mësimdhënies.
Në kuadër të bashkëpunimit afatgjatë, palët shqyrtuan edhe mundësitë për zhvillimin e programeve të përbashkëta të studimit, veçanërisht në nivelin Master, duke krijuar mundësi të reja për studentët e të dy institucioneve.
Ky takim konfirmon angazhimin e Kolegjit AAB për ndërkombëtarizim dhe ndërtimin e partneriteteve strategjike me universitete prestigjioze, në funksion të avancimit të arsimit, kërkimit shkencor dhe inovacionit.