Kolegji AAB vazhdon të forcojë dimensionin e tij ndërkombëtar përmes takimeve strategjike me partnerë akademikë evropianë. Në këtë kuadër, Prorektorja për Bashkëpunim Ndërkombëtar, Prof. Ass.Dr. Venera Llunji, takoi delegacionin nga Universiteti i Shkencave të Aplikuara në Schmalkalden, Gjermani, të përbërë nga Dr. Paul Voerkel, M.Eng. Venkata Prashanth Uppapalati, Prof. Dr. Kurt Englmeier dhe Prof. Dr. Frank Schödel.
Gjatë takimit u diskutua në mënyrë të veçantë zhvillimi dhe forcimi i Zyrës për Bashkëpunim Ndërkombëtar të Kolegjit AAB, si një strukturë kyçe për koordinimin e partneriteteve ndërinstitucionale dhe ndërkombëtarizimin e institucionit.
Palët trajtuan gjithashtu marrëveshjet ekzistuese dhe partneritetet aktuale, si dhe mundësitë për zgjerimin e tyre përmes iniciativave të reja akademike. Një fokus i veçantë iu kushtua organizimit të aktiviteteve ndërkombëtare si Java Ndërkombëtare, Shkolla Verore, si dhe intensifikimit të shkëmbimeve të stafit akademik dhe studentëve.
Gjithashtu, u diskutua angazhimi i përbashkët në aplikime dhe pjesëmarrje në organizata dhe asociacione ndërkombëtare, me qëllim rritjen e profilit global të institucionit dhe forcimin e rrjetëzimit akademik.
Ky takim konfirmon përkushtimin e Kolegjit AAB për të zgjeruar bashkëpunimet ndërkombëtare dhe për të konsoliduar rolin e tij si një institucion i orientuar drejt ndërkombëtarizimit, inovacionit dhe zhvillimit akademik të qëndrueshëm.


