Një delegacion nga Federata e Sportit Shkollor ka vizituar Kolegjin AAB, ndërsa u mirëpritën nga rektori Blerim Olluri, dhe Dekani i Fakultetit të Kulturës Fizike dhe Sportit, Fatmir Pireva.
Gjatë takimit, Kryetari i Federatës së Sportit Shkollor, Adrian Telaku, dhe sekretari Agron Dubovci, e njoftuan rektorin për aktivitetet e përbashkëta që janë në realizim e sipër, me theks të veçantë organizimin e Gjimnaziadës 2026, e cila mbështetet nga Kolegji AAB.
Me këtë rast, përfaqësuesit e federatës shprehën mirënjohje për mbështetjen dhe financimin e kësaj ngjarjeje të rëndësishme.
Rektori i Kolegjit AAB falënderoi mysafirët për angazhimin dhe bashkëpunimin e vazhdueshëm në organizimin e aktiviteteve të përbashkëta sportive, duke theksuar se bashkëpunimi dhe përkrahja do të vazhdojnë edhe në të ardhmen.
Gjimnaziada përfaqëson ngjarjen më të madhe sportive për maturantët e shkollave të Kosovës. Në edicionin e këtij viti morën pjesë mbi 700 maturantë, të cilët garuan në katër sporte: futsall, basketboll, volejboll dhe pingpong, në konkurrencën e femrave dhe meshkujve.


