Studentët e Psikologjisë pjesë e ligjëratës mbi traumën dhe procesin e rikuperimit

1 Qershor 2026

Studentët e Fakultetit të Psikologjisë morën pjesë në ligjëratën kushtuar traumës dhe ndikimit të saj në jetën e individëve, me të ftuar psikologen klinike Selvi Izeti nga KRCT dhe Ramadan Nishorin, burrin e parë në Kosovë që dëshmoi publikisht historinë e tij si i mbijetuar i dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë.

Gjatë ligjëratës, psikologia ndau njohuritë dhe përvojat nga puna e saj me persona që kanë përjetuar trauma të ndryshme, duke vënë theksin te rëndësia e një qasjeje profesionale, të ndjeshme dhe të informuar ndaj traumës. Pjesë e diskutimit ishte edhe çështja e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë, si dhe sfidat me të cilat vazhdojnë të përballen të mbijetuarit.

Më pas, Ramadan Nishori ndau rrëfimin e tij personal si i mbijetuar i dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë. Ai foli për sfidat me të cilat është përballur ndër vite, procesin e rikuperimit dhe rëndësinë e thyerjes së heshtjes për temat që lidhen me traumat e luftës.

Përmes kësaj ligjërate, studentët patën mundësinë të njihen nga afër me aspektet psikologjike të traumës dhe me rëndësinë e ofrimit të mbështetjes së specializuar për personat e prekur nga përvojat
traumatike.

Share: