Studentët e Shkencave Kompjuterike realizojnë vizitë studimore në kompaninë “LinkPlus”

1 Qershor 2026

Fakulteti i Shkencave Kompjuterike në Kolegjin AAB ka realizuar një vizitë studimore në kompaninë LinkPlus me të cilën tashmë ka marrëveshje bashkëpunimi, në kuadër të lëndës “Algoritmet dhe Strukturat e të Dhënave”, nën udhëheqjen e profesoreshës Teuta Sahatqija.

Studentët janë mirëpritur nga drejtori i kompanisë, Ermal Sadiku, i cili tregoi rëndësinë e lidhjes së studimeve akademike me praktikat profesionale dhe mundësitë që industria e teknologjisë ofron për studentët.

Gjatë vizitës, studentët prezantuan projekte që kanë zhvilluar gjatë semestrit, të cilat lidhen me programimin e funksioneve të ndryshme të veturës, si fshirëset, dritat, frenat dhe sisteme të tjera inteligjente.

Prezantimet u zhvilluan në praninë e stafit të kompanisë LinkPlus, të cilët ofruan këshilla dhe sugjerime për studentët lidhur me zhvillimin e projekteve dhe avancimin e tyre në fushën e teknologjisë.

Kjo vizitë u organizua me qëllim që studentëve t’u ofrohej mundësia për të prezantuar punën e tyre në një ambient real profesional.

Share: